Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë me bindje të plotë se Blerim Isufaj nuk do të jetë Kryeprokuror i Shtetit, pasi sipas saj, procesi do të kthehet “në pikën zero”.
Ministrja i vendosi ‘pikat mbi i’ për procesin ndonëse Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ia ka kthyer sërish për dekretim presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, emrin e Blerim Isufajt. Kësisoj, çështja mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.
Megjithatë, ministrja është e bindur se procesi nuk do të marrë kahjen e dëshiruar nga KPK-ja, të cilin institucion ajo e ka akuzuar për veprime pa bazë kushtetuese dhe ligjore.
“Mbështes dhe mirëpres letrën e presidentes Osmani për mosdekretimin e z. Isufaj si Kryeprokuror i Shtetit. Kryeprokurori i Shtetit ka mandat shtatë vite dhe sigurisht ky proces duhet të jetë transparent dhe meritor, e jo të ndikojnë grupet e interesit që të ketë një rezultat që dihet se do të ndodhë ai. Propozimi i njëjtë nga KPK-ja nuk ka bazë as kushtetuese, e as ligjore. Ky proces duhet të kthehet në pikën zero dhe do të kthehet në pikën zero”, ka thënë Haxhiu.