Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka folur sërish për situatën në veri të Kosovës, e cila tash e disa ditë është e tensionuar.
Borrell ka bërë thirrje që barrikadat të largohen dhe Kosova e Serbia të kthehen në dialog.
Siç ka thënë ai para mediave të enjten, kjo është rruga e vetme për perspektivën evropiane të të dyja vendeve.
Borrell tutje ka theksuar se po bën përpjekje që të ulen tensionet duke e dërguar edhe emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, në Prishtinë e Beograd.
“Do t’i informoj liderët për situatën dhe do t’u kërkoj [të gjithëve në rajon] që ta qetësojnë situatën dhe t’i kthehen dialogut – që është rruga e vetme për perspektivën evropiane të Kosovës dhe Serbisë. Është absolutisht e rëndësishme që këto lloj telashe të ndalen, të hiqen barrikadat, të ktheheni në stabilitet dhe të ktheheni në diskutime – diskutimi për propozimin që kemi vënë në tryezë, për të kërkuar një zgjidhje koherente dhe të përhershme të tensioneve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”. /Telegrafi/