Delegacion i Republikës së Maqedonisë së Veriut, i kryesuar nga Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, dje ka filluar vizitën zyrtare në Vjenë, në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së në vitin 2023.
Siç njoftojnë nga MPJ, Osmani do të realizojë takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të vendit nikoqir të OSBE-së, Aleksandar Shallenberg, pas së cilës do të mbajë brifing për media, me të cilët do të ndajë informacione për programin e kryesimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut me OSBE-në në vitin 2023.
Agjendën e 12 janarit Osmani do ta nisë me takim me Sekretaren e Përgjithshme të OSBE-së, Helga Schmidt, pas së cilës do të mbahet ngjarja kryesore dhe fjalimi i tij në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në cilësinë e kryesuesit, kur dhe parashihet ta prezantojë Programin e kryesimit të Maqedonisë së Veriut me Organizatën.
Në fjalën e tij, Osmani do t’i referohet sfidave me të cilat do të përballet Maqedonia e Veriut gjatë kryesimit me organizatën më të madhe rajonale të sigurisë në botë në vitin 2023, duke pasur parasysh krizën e thellë, politike, të sigurisë dhe ekonomike në të cilën ndodhet rajoni i OSBE-së. Para Këshillit të Përhershëm, Osmani do të prezantojë programin e kryesimit nën moton “Për njerëzit bëhet fjalë”, fokus primar i të cilit do të jenë njerëzit dhe siguria e tyre në një epokë të pasigurisë dhe jostabilitetit rajonal dhe global.
Gjatë ditës, Osmani është paraparë të takohet me Presidentin e Konfederatës Zvicerane, Alain Berset, me shtetin e të cilit Maqedonia e Veriut në vazhdimësi mban marrëdhënie të forta bilaterale. Në takim do të shkëmbehen mendime për zhvillimet aktuale në rajonin e OSBE-së, si dhe për rolin e saj në trajtimin e pasojave të shkaktuara nga agresioni rus ndaj Ukrainës.