21/04/2024

Çfarë bën Qendra Humanitare Serbo-Ruse, të cilën Kosova e akuzon për përfshirje në sulmin në Banjskë

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Bashkimi Evropian pyeti edhe një herë Serbinë se çfarë bën Qendra Humanitare Serbo-Ruse në Nish.

Ajo ka dhjetë vjet që është hapur në jug të Serbisë dhe është bërë çështje mosmarrëveshjesh mes Rusisë dhe Perëndimit.

Moska e përshkruan si qendrën “më të rëndësishme në Ballkan” për t’iu përgjigjur situatave emergjente dhe fatkeqësive natyrore, por vendet perëndimore dyshojnë se është një përpjekje për të krijuar një bazë ushtarake.

Komisioni Evropian kërkoi shpjegim nga Beogradi përmes raportit të ri vjetor – dokumentit më të rëndësishëm që vlerëson përparimin e vendeve kandidate për anëtarësim në BE – që u publikua javën e kaluar.

“Serbia duhet ta informojë BE-në për aktivitetet e Qendrës në Nish dhe për integrimin e saj në sistemin e menaxhimit të emergjencave”, thuhet në raportin e publikuar më 8 nëntor.

“Balanca serbe midis Rusisë dhe Perëndimit nuk thyhet në NIS [Industria e Naftës e Serbisë kryesisht në pronësi të rusëve], por në Nish”, thotë Vuk Vuksanoviq nga Qendra joqeveritare e Beogradit për Politikat e Sigurisë.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Perëndimi u ka kërkuar autoriteteve në Beograd që të vendosin sanksione ndaj Rusisë, por Serbia ka refuzuar.

Ka një vit e gjysmë që një pjesë e opozitës dhe publikut në Serbi kërkon mbylljen e Qendrës Humanitare Serbo-Ruse.

“Gjithçka që lidhet me Rusinë në Serbi, është nën mbikëqyrje shtesë, për shkak të luftës në Ukrainë”, thotë Vuksanoviq për Radion Evropa e Lirë.

“Bashkëpunim mes Serbisë dhe Rusisë, vetëm aq sa lejon Perëndimi”

Kërkesa e Rusisë që Serbia t’i japë status diplomatik stafit të Qendrës ka tërhequr vëmendje të posaçme ndër vite.

Ky status ka disa privilegje, si liri të lëvizjes jo vetëm në Serbi por edhe në rajon, dhe imunitet në rast të ndonjë vepre penale të kryer në territorin e Serbisë.

Deri më tash, autoritetet nuk e kanë miratuar një status të tillë për stafin e Qendrës Serbo-Ruse.

“Nuk besoj se do ta merrnin statusin diplomatik para luftës në Ukrainë, e tash edhe më pak”, thotë Vuksanoviq.

“Serbia është e rrethuar nga vendet anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe bashkëpunimi mes Beogradit dhe Moskës mund të ndodhë vetëm në masën që e lejon Perëndimi”, shton ai.

Qeveria e Serbisë dhe Qendra Humanitare Serbo-Ruse nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për punën e kësaj qendre dhe për kërkesën që stafi të marrë status diplomatik.

“Të mos dyfishohet roli i BE-së në mbrojtjen civile”

Në raportin e fundit, BE-ja thotë se Serbia duhet të sigurojë që Qendra Humanitare Serbo-Ruse në Nish “nuk e dyfishon rolin e Qendrës së Koordinimit Emergjent të Komisionit Evropian”.

Një qendër si ajo e Nishit, bazuar në marrëveshje ndërshtetërore me Rusinë, nuk ekziston në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Serbia, si kandidate për anëtarësim në BE, është pjesë e mekanizmit evropian të mbrojtjes civile dhe ka shfrytëzuar ndihmat e tij në disa raste – për shembull, gjatë pandemisë së koronavirusit ose përmbytjeve shkatërruese në maj të vitit 2014.

Nga viti 2014 e këndej, më shumë se 250 milionë euro ndihma kanë mbërritur nga Brukseli për sektorin e mbrojtjes civile në Serbi, thuhet në faqen e internetit të delegacionit të BE-së në Serbi.

Në raportin e tij të fundit, Komisioni Evropian kujton se, vitin e kaluar, Serbia ka ndihmuar vendet e tjera përmes mekanizmit ndërkombëtar – për shembull, ka dërguar shpëtimtarë në Turqi pas tërmetit shkatërrues atje, si dhe pako me ndihma humanitare në Ukrainë.

“Nëse Serbia përfiton nga mekanizmi i emergjencës i BE-së, jo vetëm duke reaguar ndaj krizave të veta, por edhe duke ofruar ndihmë për vendet e tjera, atëherë unë vërtet nuk e di se si funksionon Qendra ruse”, thotë Vuksanoviq.

Si funksionon Qendra pas sanksioneve perëndimore?

Vuksanoviq i sheh sanksionet e Perëndimit kundër Rusisë si pengesë kryesore për punën e Qendrës në Nish.

“Çështja është se si mund të funksionojë Qendra tani, kur hapësira ajrore dhe territori i Bashkimit Evropian, në afërsi të Serbisë, janë mbyllur për avionët rusë dhe pajisjet e ngjashme”, thotë ai.

Çfarë ka bërë Qendra vitin e kaluar?

Në prill të vitit 2022, Qendra Humanitare Serbo-Ruse ka festuar dekadën e parë të ekzistencës së saj.

Duke paraqitur rezultatet, ajo ka njoftuar se gjatë dhjetë vjetëve, ka trajnuar “rreth 3.000 anëtarë të shërbimeve të reagimit emergjent nga vendet e rajonit të Ballkanit”.

“Anëtarët e Qendrës kanë marrë pjesë në trajtimin e një numri të madh të emergjencave natyrore dhe të krijuara nga faktori njeri, kanë dhënë ndihmë për ngritjen e kampeve gjatë krizës së migrantëve, si dhe kanë ndihmuar në luftën kundër përhapjes së koronavirusit”, ka numëruar, mes tjerash, Qendra.

Përveç trajnimeve, aktivitetet e tjera të Qendrës janë mezi të dukshme në ueb-faqen e saj zyrtare.

REL-i ka analizuar njoftimet e vitit 2022 dhe 2023, në të cilat thuhet se Qendra ka organizuar trajnime për zjarrfikës, shpëtimtarë, nxënës të shkollave të mesme dhe punonjës të Industrisë serbe të Naftës.

Kështu, për shembull, ligjërues nga Shën Petersburgu kanë mbajtur “trajnim në distancë” për shpëtimtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, për kërkim-shpëtim në lumenj malorë.

“Në distancë” është organizuar edhe trajnimi për shuarjen e zjarrit në tunele hekurudhore dhe objekte nëntokësore.

Është botuar edhe një fjalor anglisht-serbisht-rusisht me temën e situatave emergjente.

Qendra ka raportuar, gjithashtu, për vizita të diplomatëve nga Rusia dhe Bjellorusia.

Se sa është i angazhuar stafi i Qendrës në situata emergjente në Serbi, nuk dihet.

Kosova e akuzon Qendrën për përfshirje në sulmin në Banjskë

Akuza në drejtim të Qendrës Humanitare Serbo-Ruse në Nish ka bërë ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, pas sulmit të armatosur ndaj policisë së Kosovës në Banjskë.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 1 tetor, ai ka thënë se ka informacione për përfshirjen e elementeve “të lidhura drejtpërdrejt me Rusinë” në sulm.

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...