Gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, i cili ka udhëhequr fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe më 1999, thotë se mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ketë stabilitet, derisa Moska t’i tërheqë ambiciet e saj imperialiste nga rajoni.
Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë 25 vjet pas përfundimit të sulmeve, ai thotë se Serbia është si një magnet që i tërheq ambiciet imperialiste ruse në Evropë.
“Mendoj se ka rrezik për dhunë. Vite më parë, kemi parë përpjekje për grusht-shtet në Mal të Zi. Së voni, kemi parë sherr në kufi mes Serbisë dhe Kosovës, në të cilin [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq ka mohuar se ka marrë pjesë. Por, dikush në Serbi ka marrë pjesë, sepse lëvizja e forcave ushtarake ka qenë e organizuar dhe e urdhëruar. Kështu që, kur shihni se si funksionojnë gjërat në këtë pjesë të botës, e kuptoni se ka një dorë të fshehur pas pjesës më të madhe të kësaj. Dhe ajo dorë vjen nga Moska. Por, derisa Moska t’i tërheqë ambiciet e saj imperialiste nga rajoni, nuk do të keni stabilitet”.
“Mendoj se është më mirë për të gjithë në rajon nëse nuk e shtyjmë përpara asociacionin, por në vend të tij punojmë që këto dy qeveri [të Kosovës dhe Serbisë] t’i normalizojnë marrëdhëniet diplomatike,” ka thënë ai./Radio Evropa e Lirë