Në seancën gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Gjykatën Speciale, ka dëshmuar dëshmitari i pestë, i cili ka rrëfyer për rastin kur, sipas tij, disa burra me uniforma të zeza dhe emblema të UÇK-së kanë marrë të afërmit e tij.
Ai ka thënë se e kuptoi që ia morën familjarët kur dëgjoi krismat posa doli te vetura.
“Doja t’i dilja para makinës që t’i shihja se dëgjova krismat, dhe i kishin marrë të afërmit e mi në një makinë”.
Si pasojë e përfundimit të orarit të punës, seanca e sotme është ndërprerë, për të vazhduar nesë.
Ish-krerët e UÇK-së po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ndryshe, gjatë seancës së sotme, trupi gjykues për rastin Thaçi dhe të tjerët ka shprehur shqetësimin e tij meqë pothuajse të gjitha provat e deritanishme lidhur me rastin janë dëgjuar në seanca private ose të mbyllura.
Trupi Gjykues ua ka bërë me dije palëve se në bazë të Nenit 21 (2) të Ligjit për Gjykatën Speciale, të akuzuarit kanë të drejtë për një seancë të drejtë dhe publike dhe se ka interes publik që kjo procedurë të zhvillohet, për aq sa është e mundur, në mënyrë publike.






