“Sindroma e dhimbjes së shpinës përfshinë një gamë të gjerë të sëmundjeve, qofshin ato inflamatore, degjenerative, infektive, metabolike, traumatike si dhe ato tumorale.”, kështu ka deklaruar Dr. Besim Bytyqi- reumatolog, i cili ka informuar se dhimbjet mund të jenë të ndryshme për nga intensiteti dhe karakteri i tyre.
Reumatologu Besim Bytyqi ka treguar se në grupin e sëmundjeve që shoqërohen me dhimbje të shpinës si dhe të eshtrave në përgjithësi hyjnë;
• Sëmundjet me natyrë inflamatore
• Sëmundjet degjenerative
• Lëndimet traumatike (goditjet, ndrydhjet apo përdredhjet e nyjeve)
• Sëmundjet metabolike (osteoporoza, osteopenia), etj.
• Sëmundjet infektive, përfshirë këtu tumoret e eshtrave
Bytyqi ka potencuar se sëmundjet reumatike të karakterit inflamator-spondilo artropatitë janë një grup i sëmundjeve me karakteristika të përbashkëta radiologjike, klinike dhe imunologjike. Në këtë grup bëjnë pjesë; • Spondiliti ankilozant • Sindroma Righter • Artriti psoriatik • Artrititi enteropatik.
Reumatologu ka bërë të ditur se ky grup i sëmundjeve shfaqen me ndryshime në aparatin kockor, por zgjerohen edhe në inde e organe tjera.
“● Në grupin e sëmundjeve degjenerative shfaqen zakonisht në moshën e mesme si dhe atë të shtyer. Por, për dallim nga sëmundjet inflamatore reumatike këto ndryshime shfaqen vetëm në aparatin kockor, por jo edhe në organe apo inde tjera.
● Lëndimet traumatike – shfaqen nga traumat e ndryshme qofshin aksidentet në komunikacion apo edhe lëndimet tjera, qofshin ato në vendin e ngjarjes në punë apo kudo qofshin.
● Çrregullimet metabolike-këto sëmundje shfaqen me ndryshime në strukturën dhe përbërjen e eshtrave, prandaj në këto raste nga një goditje ose traumë jo e rëndë eshtrat lehtë mund të dëmtohen ose të thyhen.
● Sëmundjet infektive-Në këtë grup të sëmundjeve hyjnë të gjithë faktorët infektivë, qofshin viral apo bakterial. Këto shfaqen edhe si pasojë e uljes së imunitetit. Me rëndësi të veçantë që ndodhë jo edhe rrallë është edhe tuberkulozi i kockave. Shpesh këta pacientë vijnë me dhimbje të nyjeve, ethe, lodhje e plogështi që njëhërit janë simptoma të zakonshme të sëmundjeve me natyrë inflamatore apo infektive.”, ka treguar reumatologu.
Si diagnositifikohen dhimbjet e shpinës?
Reumatologu Besimm Bytyqi gjatë intervistës për rtv21.tv ka theksuar se diagnoza e dhimbjeve të shpinës zakonisht arrihet përmes anamnezës së mirëfilltë nga pacienti, duke i vrojtuar e hulumtuar shenjat e sëmundjes, pastaj përmes analizave laboratorike, si dhe metodat tjera ndihmëse si radiografia, tomografia e kompjuterizuar etj.
Cilat janë llojet e dhimbjeve të shpinës?
Sipas reumatologut Bytyqi, dhimbjet e shpinës klasifikohen në disa grupe; • Dhimbjet e shpinës që zvogëlohen gjatë aktivitetit fizik • Dhimbjet e shpinës që rriten gjatë aktivitetit fizik.
Në grupin e parë, sipas reumatologut Bytyqi, hyjnë sëmundjet reumatologjike me natyrë inflamatore, ndërsa në grupin e dytë, sëmundjet reumatologjike me natyrë joinflamatore.
“Sa i përket klinikës ajo është e ndryshme te e njëjta sëmundje, por varet se cilat unaza janë atakuar. Nëse atakohen unaza e parë deri katërt qafore, zakonisht paraqiten me ndryshime strukturore të tyre. Këta pacientë kanë dhimbje të qafës, si dhe pjesës së pasme të kokës.”, kështu ka potencuar reumatologu, i cili ka cekur se në raste jo edhe të rralla është prezente edhe marramendja.
“Në qoftë se shfaqen ndryshime në unazën e katërt dhe të shtatë të qafës, shfaqen me dhimbje të qafës si dhe mpirje të njërës apo edhe të të dy duarve. Nëse atakohen unazat e krahërorit, shfaqen me dhimbje të gjoksit, që sforcohen sidomos gjatë lëvizjes si edhe frymemarrjes së thellë. Shpesh kjo klinikë karakteristike na shtynë neve si profesionistë shëndetësorë të mendojmë se mos këta pacientë kanë ndonjë semundje që i ka atakuar zemrën apo edhe mushkeritë. Unazat e fundshpinës shfaqen me simptoma të dhimbjes së fundshpinës, kufizimit të lëvizjes në nivel të belit por nganjëherë shoqërohen edhe me mpirjen e njerës apo edhe të të dyja këmbëve.”, ka bërë të ditur ai.
Cilat janë pasojat e dhimbjeve në shpinë, nëse nuk kujdeseni për to me kohë?
Reumatologu Bytyqi ka potencuar se pasojat e dhimbjes së shpinës mund të jenë të ndryshme, duke u bazuar nga klinika e sëmundjes të ndryshme. Por, sido qoftë, sipas tij, çdo sëmundje duhet të diagnostifikohet sa më parë dhe të fillohet mjekimi, ngase mjekimi i vonuar ndoshta do të ketë pasoja në të ardhmen.
“Disa sëmundje mundë të shkaktojnë edhe invaliditet.”, ka bërë të ditur ai.
Dhimbja e shpinës: shkaqet, diagnoza, trajtimi i dhimbjes së shpinës / Xhel Flekosteel
Kur nuk duhet të injorohen dhimbjet e shpinës?
Reumatologu Bytyqi ka deklaruar se dhimbjet e shpinës që zgjasin më tepër se 1 deri 3 javë, asesi nuk duhet te injorohen dhe duhet të trajtohen me kujdes të veçantë. “Pacienti duhet të lajmerohet te mjeku reumatolog, të bëhet diagnostifikimi i saktë dhe të fillohet sa më parë me mjekim adekuat.”, ka potencuar ai.
Si trajtohen dhimbjet e shpinës?
Dhimbjet e shpinës duhet të trajtohen me kujdes të veçantë, por, siç ka theksuar reumatologu, së pari duhet të zbulohet faktori që ka shkaktuar sëmundjen dhe të fillohet sa më parë me një trajtim të mirëfilltë që të parandalohen deformimet e aparatit kockor apo edhe të indeve të buta.
Personat që qëndrojnë gjatë ulur, a janë më të rrezikuar nga dhimbjet e shpinës?
“Personat që qëndrojnë gjatë ulur kanë rrisk më të lartë për sëmundjet e unazave dhe deformimet e tyre. Këto shfaqen nga qëndrimi jo i mirë ulur pozicioni i trupit në pozitë jo korrekte”, ka deklaruar Bytyqi, me ç’rast ka treguar se shfaqen me shumë në disa profesione, si te: shoferët, studentët, punetorët e administratave apo edhe punëtorët tjerë që janë të detyruar ta kryejnë punën e tyre nga pozita ulur, etj.
Këshilla për personat që punojnë ulur për orë të tëra
Reumatologu Besim Bytyqi ka dhënë disa këshilla për personat që qëndrojnë ulur gjatë, me ç’rast ka cekur se cilat ushtrime duhet të bëjnë dhe se si të ushqehen.
“Personat që qendrojnë gjatë në pozitën ulur, duhet të kenë kujdes që qëndrimi i trupit të tyre të jetë i drejtë dhe të ndërrojnë sa më shpesh pozitën e trupit nga pozita ulur në atë në këmbë apo edhe e kundërta. Për këta persona janë të rëndësishme ushtrimet gjimnastikore, pastaj duhet të ushqehen me ushqim të shëndetshëm, që kanë më shumë kalcium, magnez, Vitaminë D apo edhe minerale tjera.”, ka shtuar Bytyqi./21Media