17/02/2026

DW: Paqartësi lidhur me prezantimin e draft-statutit të Asociacionit

- Advertisement -spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Për emisarin e Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka rëndësi që në programin e takimit të 2 majit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq të prezantohet draft-statuti i Asociacionit, si hap i parë i detyrueshëm. Por, ende ka paqartësi.

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka konfirmuar se në takimin e radhës ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq, që mbahet më 02.05 në Bruksel, do të prezantohet një draft-statut i parë i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Por gjasat që Kosova dhe Serbia të pajtohen për këtë duket se janë minimale. Palët kanë kundërshtime dhe qëndrimeve diametralisht të kundërta.

Megjithatë takimi i 2 majit mes Kurtit dhe Vuçiqit me praninë e emisarit të BE, Miroslav Lajçak cilësohet i rëndësishëm.

“Për mua është e rëndësishme që më 2 maj të kemi një takim të planifikuar mes presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti në Bruksel, ku në agjendë do të jetë fillimi i procesit të krijimit të këtij komuniteti. Do të prezantohet drafti i statutit të saj, që është hapi i parë i detyrueshëm dhe i rëndësishëm”, është shprehur Lajçak. Nga ky takim pritet të nënshkruhet edhe deklarata e përbashkët e dakorduar në takimin e parafundit për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Kurti: Nuk njihet aq puna e ekipit menaxhues

Nga Kosova paraqiten rezerva në lidhje me punën e ekipit menaxhues. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se puna e Ekipit Menaxhues, i cili përbëhet nga përfaqësues të komunitetit serb, dhe përmbajtja e statutit nuk janë siç thotë ai, “edhe aq të njohura”.

Ai ka thënë se i ka shprehur Bashkimit Evropian gatishmërinë që ta hartojë vetë draft-statutin për Asociacionin, por se nga BE-ja i është thënë se kjo është punë e Ekipit Menaxhues.

“Ky ka qenë qëndrimi i ndërmjetësit, ndërsa unë si kryeministër i Kosovës kujdesem për kushtetutshmërinë, ligjshmërinë dhe që gjithçka të jetë në funksion dhe në përputhje me qëllimet tona dhe parimet tona”, ka thënë Kurti.

Vuçiq: Do të prezantohet statuti

Ndryshe është qëndrimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq para takimit. Ai ka thënë se Ekipi Menaxhues më 2 maj, do të prezantojë statutin për formimin e Asociacionit, por ka shtuar se “nuk ka shpresa të mëdha që pala tjetër do ta pranojë atë”.

Në vitin 2013, Kosova dhe Serbia janë dakorduar për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por marrëveshja nuk është zbatuar kurrë, pasi Serbia këmbëngul në kompetenca ekzekutive, ndërsa Kosova nuk i pranon ato.

Por çfarë dihet dhe kush është Ekipi Menaxhues për formimin e  statutit të Asociacionit?

Në vitin 2016, një vit pasi Kosova dhe Serbia u dakorduan për parimet e Asociacionit, Ministria e atëhershme e pushtetit lokal emëroi Ekipin Menaxhues. Në atë kohë, në krye të kësaj ministrie ishte Lubomir Mariq nga radhët e Listës Serbe. Tani Mariq është deputet i Kuvendit të Serbisë nga Partia Përparimtare Serbe. Mariq, i cili ishte koordinator i Ekipit Menaxhues, caktoi katër persona për të shkruar statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe: Igor Kallamar, Dejan Radojkoviq, Vinko Radosavleviq dhe Svetisllav Durlleviq.

Nuk dihet nëse ky Ekip Menaxhues ka hartuar statut të ri të Asociacionit dhe kryeministri Kurti nuk ka njohuri për këtë.

“Ministri im i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i ka ftuar në takim Ekipin menaxhues, por ata nuk janë përgjigjur. Pra, është kjo Ministri në kuadër të Qeverisë e cila merret për së afërmi me këtë ekip menaxhues për draft-statutin, siç është bërë marrëveshja dikur në Bruksel, e siç është ndryshuar përbërja në qeveri, para se unë të bëhem sërish kryeministër”, tha Kurti.

Nga ana e tyre zyrtarë të BE-së nuk kanë sqaruar, nëse ekipi menaxhues do ta sjellë statutin e Asociacionit në takimin e 2 majit, por vetëm rikujtuan se Asociacioni është obligim i Kosovës, i pranuar me nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013, dhe se të gjitha marrëveshjet duhet të zbatohen. “Bashkimi Evropian gjatë gjithë kohës, ka qenë i qartë kur bëhej fjalë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Këtë e kemi përsëritur në reagimin ndaj zgjedhjeve lokale në komunat në veri të Kosovës, nevojitet urgjentisht formimi i Asociacionit”, tha zëdhënësi i BE-së Peter Stano.

Formimin  e Asociacionit e kërkon edhe Presidenti i Serbisë, Vuçiq. Pjesëtarët e komunitetit serb në veri të Kosovës nuk do të kthehen në institucione, pa formimin e Asociacionit, sipas tij. Kurse Prishtina zyrtare akuzon Beogradin, për shkelje të marrëveshjes së Ohrit, pasi Serbia votoi kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës./telegrafi

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...