Presidenti egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi, ka konfirmuar se vendi i tij po përgatit një “plan gjithëpërfshirës” për të rindërtuar Rripin e Gazës pa zhvendosur palestinezët, transmeton Anadolu.
Konfirmimi erdhi gjatë takimit të presidentit al-Sisi në Kajro me kreun e Kongresit Botëror Hebre, Ronald Lauder.
Presidenca egjiptiane njoftoi se bisedimet u fokusuan në mënyrat për të rivendosur stabilitetin rajonal dhe përpjekjet e Egjiptit për të zbatuar një marrëveshje armëpushimi në Gaza, duke përfshirë shkëmbimin e të burgosurve, si dhe lehtësimin e hyrjes së ndihmës humanitare në enklavë.
Presidenti egjiptian theksoi rëndësinë e “fillimit të rindërtimit të Gazës dhe sigurimit që banorët e saj të mos zhvendosen nga toka e tyre”.
Ai gjithashtu theksoi domosdoshmërinë që të gjitha palët “të veprojnë me përgjegjësi për të ruajtur armëpushimin”, duke paralajmëruar se një zgjerim i konfliktit “do të dëmtojë të gjitha palët”.
“Krijimi i një shteti palestinez të bazuar në kufijtë e 4 qershorit 1967, me Kudsin Lindor si kryeqytet është garancia e vetme për arritjen e paqes së qëndrueshme”, tha al-Sisi.
Pas takimit, thuhet në njoftimin e presidencës egjiptiane, Lauder tha se ishte i prirur të konsultohej me Egjiptin për çështje të ndryshme relevante duke marrë parasysh rolin e tij udhëheqës në arritjen e paqes në Lindjen e Mesme.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vazhdimisht ka bërë thirrje për marrjen e Gazës dhe zhvendosjen e popullsisë së saj për të zhvilluar atë në një “rivierë të Lindjes së Mesme”. Ideja është hedhur poshtë nga bota arabe dhe shumë vende të tjera, të cilët thonë se kjo përbën spastrim etnik.
Propozimi i diskutueshëm erdhi mes marrëveshjes së armëpushimit që hyri në fuqi në Gaza më 19 janar, duke ndalur luftën gjenocidale të Izraelit, e cila ka vrarë të paktën 48.300 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe e ka lënë enklavën në gërmadha.