Ndalimi i Estonisë për lëshimin e vizave për turistët rusë ka hyrë në fuqi, raportojnë mediat lokale.
“Qytetarët rusë që kanë viza Shengen të lëshuara nga Estonia për qëllime turistike, biznesi, sportive apo kulturore nuk do të lejohen të kalojnë kufirin e atij shteti baltik”, njoftoi televizioni publik ERR.
Shtohet se rusët të cilëve u është lëshuar një vizë nga një tjetër anëtar i zonës Shengen ose që ishin tashmë në zonën Shengen do të mund të hyjnë ende në Estoni, e cila kufizohet me Rusinë.
Përjashtim nga kjo masë bëjnë diplomatët rusë që punojnë në Estoni dhe familjet e tyre, individët që lejohen të hyjnë sipas ligjit të Bashkimit Evropian, punonjësit në transportin ndërkombëtar të mallrave dhe pasagjerëve dhe personat që Talini konsideron se kanë të drejtë për viza për arsye humanitare.
Përjashtim bëjnë edhe qytetarët rusë që dëshirojnë të vizitojnë të afërmit e afërt që banojnë në Estoni si banorë të përhershëm ose qytetarë.
Ministri i Brendshëm estonez Lauri Lanemets tha se ndalimi ishte vendosur për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Ndryshe, Finlanda gjatë ditëve të kaluara u ka ndaluar një pjesë të shtetasve rusë që për qëllime turistike të vizitojnë këtë vend nordik. /Telegrafi/