Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti dhe liderët e partive opozitare i janë drejtuar sot qytetarëve përmes Kuvendit të Kosovës, në 15-vjetorin e pavarësisë së shtetit.
Liderët e shtetit dhe ata partiakë kujtuan sakrificën e pashembullt dhe qëndresën e brezave për liri dhe pavarësi, ndërkaq theksuan se forcimi i mëtejmë i shtetit të Kosovës është mision i secilit.
Deputetëve dhe qytetarëve të vendit i është drejtuar nga Kuvendi i Kosovës edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Presidentja, Vjosa Osmani tha se në këtë ditë duhet t’i kujtojnë të gjithë ata që kontribuuan në formimin e shtetit të Kosovës.
“Kam nderin që në ditëlindjen e 15 të Republikës tonë të mund të ju drejtohem nga institucioni që bart një peshë…Ta kujtojmë sakrificën e pashembullt dhe qëndresën e brezave. Ta kujtojmë presidentin historik Ibrahim Rugovën, t’i kujtojmë bijtë e bijat tonë të rreshtuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës…të kujtojmë kontributin e ushtarëve të policisë, si dhe të ushtarëve të FSK-së, përderisa ne sot po festojmë ata po luftojnë për shpëtimin e jetëve nën rrënojat e ndërtesave të shembura nga tërmeti në Turqi”, ka thënë Osmani.
Ajo po ashtu tha se në këto 15 vjet Kosova është zhvilluar e forcuar si shtet i ri.
“Ka ndërtuar kapacitetet e saj shtetërore. Institucionet tona po forcohen dita ditës…Sfidat janë të pranishme dhe sot, ku Kosova falë përcaktimit të saj të mëhershme po përpiqet që të fuqizojë edhe më tej pozitën e saj ndërkombëtare drejt integrimit të vendit drejt forcave euroatlantike”, ka thënë Osmani.
Po ashtu, ajo tha se Kosova nuk mund të jetë ishull i izoluar karshi kërcënimeve që e kanë sfiduar gjithë kontinentin si dhe botën demokratike.
“Por, ajo nuk mund të injorojë dhe kërcënimet ndaj saj, të cilat vijnë si rrjedhojë e përpjekjeve për ta minuar shtetësinë tonë. Sot e kësaj dite forcat deskrutive provojnë ta cenojnë shtetësinë tonë. Ne nuk duhet të lejojmë që shoqëria jonë të polarizohet, në përballjen me Serbinë duhet të jemi një. Forcimi i mëtejmë i shtetit të Kosovës është mision i secilit”, tha Osmani.
Ajo tha se po ashtu se presidenti i ShBA-së, Joe Biden me një letër të cilin ia ka dërguar të enjten ia ka rikonfirmuar se procesi i dialogut Kosovë- Serbi duhet të përmbyllet me njohje reciproke.
“Procesi i dialogut me Serbinë e ka një epilog, një epilog që e konfirmoi edhe Biden me një letër që ka dërguar dje, e ajo është njohja reciproke”, ka thënë ndër të tjera Osmani.
Ndërsa, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj tha se ka kënaqësinë që të shënojë këtë ditë në Kosovë.






