Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka udhëtuar për në Toronto të Kanadasë, për të marrë pjesë në takimin e grave ministre të Punëve të Jashtme.
Gërvalla ka shkuar në këtë takim me ftesë të homologes së Kanadasë, Mélanie Joly.
“Ky takim, i cili do të zgjasë dy ditë, është bashkorganizimin i Kanadasë dhe Xhamaikës dhe mbledh ministre nga e gjithë bota për të diskutuar situatat e rënda me të cilat përballen gratë në vende si Afganistani, Irani, Ukraina dhe vende të tjera si dhe për të ofruar mbështetje konkrete”, thuhet në komunikatën e MPJD-së.
Sipas njoftimit, Gërvalla do të zhvillojë gjithashtu takime dypalëshe me ministret e jashtme të vendeve të tjera pjesëmarrëse.