Furnizuesi me Shërbim Universal të rrymës në Kosovës, KESCO, ka aplikuar zyrtarisht në Zyrën e Rregullatorit për Energji, për shqyrtim të jashtëzakonshëm të të hyrave të lejuara maksimale.
Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) kishte miratuar më 8 shkurt 2022 faturat e reja me rritje vetëm për një kategori të konsumatorëve, të cilat kanë hyrë në fuqi një ditë më vonë.
Konsumatorët pas kalimit të pragut prej 800 kilovatësh, diferenca e konsumit faturohet me 5.9 centë për kilovatë gjatë tarifave të ulëta dhe me 12.5 centë për kilovatë gjatë tarifave të larta.
Nevojat e Kosovës për energji elektrike i tejkalojnë kapacitetet e prodhimit, sidomos gjatë dimrit.
Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavat në orë, kurse nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavat në orë. Këtë diferencë, ajo zakonisht e importon nga jashtë.
Bazuar në statistikat e institucioneve në Kosovë, amvisëritë janë shpenzuesit kryesorë të rrymës totale që prodhohet në vend.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), me dy termocentralet, Kosova A dhe Kosova B, mund të prodhojë energji deri në 800 megavat në orë, kurse nevojat e konsumatorëve, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavat në orë. Diferenca tjetër sigurohet nga importi. Sipas ZRRE-së, Kosova vitin e kaluar ka importuar 1.311.461 megavat rrymë.
Përveç, ngritjes së çmimit, gjatë muajve të ardhshëm është e pritshme që disa nga shtetet e Evropës të ndalojnë eksportin e lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, mbi 50 për qind e sektorit të amvisërisë shfrytëzojnë biomasë (dru zjarri dhe pelet), kurse energjia elektrike më shumë shpenzohet nga sektori i biznesit dhe ai i shërbimeve.
Tashmë qytetarët e Kosovës po përballen me inflacion të lartë e me krizë ekonomike, e cila ka bërë që të rriten çmimet e produkteve bazë. Në qershor të këtij viti, inflacioni ka shkuar në 14,1%, duke shënuar rekord që nga shpallja e pavarësisë.
Diskutimet mbi sektorin e energjisë në Kosovë kanë filluar në fund të vitit të kaluar kur në Kosovë filluan reduktimet e energjisë elektrike, si pasojë e një krize globale energjetike.