Qeveria Gjermane ka demantuar se qëndrojnë prapa një dokumenti katër faqesh të ashtuquajtur si “kornizë e re” për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, që u raportua se iu dorëzua Kurtit dhe Vuçiqit përmes dy top- këshilltarëve të Macron dhe Scholz përgjatë vizitës në Prishtinë dhe Beograd bashkë me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajcak.
Nga Qeveria Gjermane i kanë thënë Gazetës Express se kanë përcjellë raportimet në media për një dokument të tillë për të cilin është supozuar se është dorëzuar nga Franca, Gjermania dhe Lajcak tek kryeministri Kurti dhe presidenti serb, Aleksander Vuçiq, por potencojnë se një letër e tillë s’vjen as nga Gjermania, as nga Franca e as nga Miroslav Lajcak.
Nga Berlini zyrtar theksojnë se nuk kanë informacione se kush e ka shpikur një dokument të tillë dhe me çfarë qëllimi.
“Ne kemi vërejtur raportimet në mediat shqipe rreth të të ashtuquajturës rrjedhje të një dokumenti katër faqesh që supozohet se është dorëzuar nga Franca, Gjermania dhe Përfaqësuesi Special Lajcak tek kryeministri Kurti dhe presidenti Vucic. Pretendimet janë të gabuara, një letër siç përshkruajnë raportimet nuk vjen nga Franca, Gjermania apo Përfaqësuesi Special. Ne s’kemi informacione kush e ka shpikur atë dhe me çfarë qëllimi”, ka thënë një zëdhënës i Qeverisë gjermane për Gazetën Express.
Ndryshe në një media të Shqipërisë ditë më parë është publikuar një “dokument” i cili pretendohej se ishte hartuar nga Gjermania, Franca dhe BE-ja dhe se i njejti ishte dorëzuar Kurtit dhe Vuçiqit përmes këshilltarëve të kancelarit Olaf Scholz dhe presidnetit Emmanuel Macron përgjatë vizitës së fundit në Prishtinë dhe Beograd.
Aty pretendohej për një “marrëveshje përmbajtësore vitin e ardhshëm”,”marrëveshje finale pas 10 vjetësh”, “Kosova do të fitonte njohje nga 5-shja e BE’së dhe anëtarësim në organizata” derisa “Serbia do të përfitonte ndihma masive”