Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, deklaroi se pas konstituimit të pjesshëm të Kuvendit, hapi i radhës duhet të jetë formimi i qeverisë.
Ajo kërkoi mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Përgjithshëm për të votuar mandatarin.
“Na duhet mbledhje e Këshillit të Përgjithshëm që ta votojmë mandatarin, e pastaj Arbërie Nagavci ta dërgojë emrin e kryeministrit Kurti te presidentja Osmani”, tha Haxhiu.
Haxhiu kritikoi opozitën për mungesë të bashkëpunimit, duke e cilësuar të papranueshme mospërkrahjen për Nenad Rashiqin si nënkryetar të Kuvendit.
“Është për të ardhur keq që nga 52 deputetë të opozitës, as edhe 4-5 vota për të përkrahur Nenad Rashiqin”, u shpreh nënkryetarja e Kuvendit.
Ajo tha se Rashiq nuk duhet të barazohet me Listën Serbe:
“Zoti Rashiq nuk mund të futet në të njëjtin thes me Listën Serbe, sepse kryetari formal i saj ka kryer sulm terrorist në Republikën e Kosovës”, u shpreh Haxhiu.
Në fund, Haxhiu u shpreh se mazhoranca nuk do të lejojë që institucionet të mbesin të bllokuara.
“Ne nuk do të lejojmë që pakicat të bllokojnë funksionimin e institucioneve. Koha e lojërave e pazareve ka përfunduar”, tha ajo. /Telegrafi/