Disa nxënës të shkollës së mesme të ulët “7 Shtatori” në Vitomiricë kanë shfaqur shqetësime shëndetësore gjatë ditës së djeshme, pasi kishin konsumuar mëngjes në një furrë pranë shkollës.
Burimet bëjnë të ditur se më shumë se 30 nxënës kanë marrë trajtim mjekësor në QMF-në e Vitomiricës, që ndodhet pak metra larg shkollës. Ndërsa, disa të tjerë edhe në QKMF-në e Pejës.
Disa nga prindërit e nxënësve me shqetësim kanë konfirmuar se fëmijët e tyre kanë marrë infuzione pas helmimit.
Rasti ndërkohë është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
Gashi tha se mbrëmë është njoftuar policia rreth rastit që ka ngjarë të hënën rreth orës 10 të mëngjesit.
“Sipas informacioneve të deritanishme që kemi, drejtoria e shkollës është njoftuar rreth orës 10 të mëngjesit se disa nxënës kanë shqetësime shëndetësore. Disa prej nxënësve janë bartur me autoambulancë për në QMF-në aty afër dhe kanë marrë tretman mjekësor, e më pas janë liruar në shtëpi. Me urdhër të prokurorit është ftuar për intervistim drejtori i shkollës, i cili e ka dhënë deklaratën e tij. Rasti është duke u hetuar nga njësitet përkatëse” tha Gashi.






