Ma. Vehbi Shatri
Në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës ekzistojnë biblioteka dhe arkiva që kanë dokumente, libra, dorëshkrime dhe revista të ndryshme e të shkruara në gjuhë të ndryshme, si: arabe, turke, osmane, perse e shqipe. Këto janë materiale me rëndësi të veçantë, ngase në to ka dëshmi historike, politike, fetare, kulturore, arsimore dhe shkencore për popullin tonë.
Ndër bibliotekat më të vjetra islame në Kosovë është ajo e themeluar prej dijetarit të njohur prizrenas, Suzi Çelebiut, e themeluar më 1513, pastaj ajo “Atik” e Medresesë në Pejë, e themeluar më 1516, ajo e “Mehmet Hajrudin-Kuklibegut”, e themeluar më 1535, biblioteka “Mehmet Pasha” në Prizren, e themeluar më 1573, biblioteka “Hadum Suleiman Aga”, e themeluar më 1595 në Gjakovë, pastaj ato fakultative, si: biblioteka në Medresenë e Madhe të Gjakovës, e themeluar më 1733, e që bashkë me ato më sipër ishin edhe thesare arkivore, pastaj biblioteka në Medresenë e Mesme “Alauddin” në Prishtinë, bashkë me Arkivin, qysh nga themelimi i saj, Biblioteka Qendrore e Vakëfit në Prishtinë, e themeluar më 1951 etj. Dorëshkrimet dhe librat e vjetër që kanë shpëtuar nga shkatërrimet serbe, që të gjitha ruhen në Bibliotekën Qendrore të BIK, që gjithashtu posedon edhe Arkivin e saj. Në rendin e bibliotekave islame në Kosovë bën pjesë edhe biblioteka e Fakultetit të Studimeve Islame, e themeluar vonë mirëpo e pasur; tashmë ka qindra dorëshkrime të vjetra dhe është e pasur me mbi 10.000 libra, rreth 7.000 tituj të ndryshëm dhe qindra punime diplomash.
Edhe Arkivi i Kosovës ka një koleksion të dorëshkrimeve islame-orientale në formën e veprave të plota e të pabotuara. Ato janë në gjuhën arabe, turke, perse dhe shqipe, kryesisht me grafi arabe. Numri i përgjithshëm i dorëshkrimeve që ruhen në Arkivin e Kosovës arrin në 69 kodekse, ose 100 vepra në dorëshkrim. Një pasuri të tillë e gjejmë edhe në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe disa biblioteka të tjera. Pra, shihet qartë se bibliotekat dhe arkivat islame të Kosovës janë pasuri e çmuar, dhe duhet ta gëzojnë një përkujdesje dhe një vëmendje më të madhe.
Në këtë kontekst, punimi me titull Një historik i shkurtër i arkivave dhe i bibliotekave islame në Kosovë synon pikërisht identifikimin dhe promovimin e kësaj pasurie kombëtare, me shpresë se do t’u kushtohet vëmendje edhe në zbërthimin dhe interpretimin e tyre.
10/25/2022