29/05/2024

Hovenier për Banjskën: Zakonisht duhet strukturë shtetërore që ua ofron ato armë

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se individët që morën pjesë në sulmin në Banjskë posedonin armë të sofistikuara, ofrimin e të cilave e bën një strukturë që zakonisht është strukturë shtetërore.

Në një intervistë dhënë “Zërit të Amerikës”, Hovenieri ka thënë se sulmi në Banjskë nuk ka mundur të ndodhë spontanisht dhe pas tij ka pasur struktura apo organizata.

“Këta individë, të gjithë serbë etnikë me sa dimë, kishin qasje dhe posedonin armë të sofistikuara që nuk mund t’i blini në tregun lokal. Ju duhet një lloj strukture, zakonisht strukturë shtetërore që ua ofron. Ne e dimë se pjesa më e madhe e materialit që ata lanë pas, ishte me origjinë serbe. E dimë se një individ, z. Milan Radoiçiq, i cili ishte nënkryetar i partisë Lista Serbe, bëri një deklaratë publike përmes avokatit të tij duke marrë përsipër përgjegjësinë, duke thënë se ai kishte organizuar sulmin dhe kishte marrë pjesë në të. Këto janë gjërat që ne i dimë tani dhe po përpiqemi të kuptojmë më shumë. Ne e dimë se kjo nuk mund të ndodhte vetëm spontanisht. Pra, siç e kam thënë edhe më parë, pas kësaj kishte struktura ose organizata. Ajo që ne ende po përpiqemi të kuptojmë është saktësisht se si funksionoi”, është shprehur ai.

Ambasadori amerikan më tej ka thënë se situata e sigurisë në veri është ende shqetësuese.

“Siç mund ta keni dëgjuar dje gjatë ndërrimit të komandës së KFOR-it, admirali Munch, komandanti i Forcave të Përbashkëta të NATO-s me seli në Napoli, bëri të ditur se nga 24 shtatori, NATO-ja ka trefishuar numrin e patrullimeve. Këshilli i Atlantikut të Veriut mori vendim për të rritur ndjeshëm numrin e forcave të KFOR-it. Ne e marrim këtë seriozisht. Situatën aktuale do ta karakterizoja si të brishtë, por të qetë apo më të qetë. Por ju e dini, ka një brishtësi dhe ne jemi shumë të përqendruar për të ndihmuar menaxhuar situatën dhe të përpiqemi të shmangim incidente të tjera që mund të çojnë në dhunë e që do të ndikonin, do të kërcënonin popullsinë civile atje, por edhe forcat e ligjshme të sigurisë atje, policinë e Kosovës dhe sigurisht edhe praninë ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Hovenieri ka shtuar se SHBA-ja beson se autoritetet e Kosovës kanë përgjegjësi për ta zbatuar ligjin.

“Jemi të shqetësuar për çdo veprim që do të destabilizonte situatën në veri. Jemi të shqetësuar për çdo veprim që rezulton në individë të armatosur dhe të trajnuar që veprojnë në një mënyrë që është në kundërshtim me rendin ligjor. Ne besojmë se ky është territor sovran i Kosovës. Besojmë se autoritetet e Kosovës kanë përgjegjësinë për të zbatuar ligjin. Pra, ne e marrim atë shumë seriozisht”, ka theksuar ai.

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...