Lumi Ibër në qytetin e Mitrovicës është shterur pothuajse krejtësisht tre ditë më parë, ndërsa qytetarët nuk mbajnë mend të ketë ndodhur diçka e tillë asnjëherë në të kaluarën.
Disa prej tyre mendojnë se janë temperaturat e larta që çuan në shterjen e këtij lumi, por të tjerët fajësojnë faktorin njeri për një situatë të tillë.
Peshqit tashmë kanë ikur nga ky lumë, ndërsa mitrovicasit thonë se bota tjetër nënujore është shkatërruar nga dielli.
Erblin Macula, qytetar nga Mitrovica, thotë për KosovaPress se ka dalë me familjarët të peshkojë në Ibër, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur, për shkak të nivelit shumë të ulët të ujit dhe mungesës së peshkut.
Ai nuk mban mend shterje kaq të madhe të Ibrit ndonjëherë.
Ndonëse nuk përjashton mundësinë e ndikimit të temperaturave të larta në rënien e nivelit të ujit në Ibër, ai konsideron se faji mund të jetë edhe te penda e liqenit të Ujmanit, prej nga vjen sasia e ujit për qytetarët e Mitrovicës.
“Sot dola me djalin dhe vëllain, meqë jemi peshkatarë sportiv, por problem sepse niveli i ujit tepër i ulët në Ibër… Thatësia që është duke marrë këto ditë ka ndikuar të ketë rënie të nivelit të Ibrit… Unë për vete nuk mbaj mend një nivel kaq të ulët të ujit, edhe pse ne varemi nga penda ku lëshohet uji te liqeni i Gazivodës, sepse sasia e ujit vjen nga atje, kështu që edhe kjo mund të ndikojë”, thotë Macula.
Muhamedin Hetemi, një mitrovicas tjetër, gjendjen në lumin Ibër e quan katastrofë ekologjike.
Ai, përveç temperaturave të larta, për këtë situatë fajëson edhe faktorin njeri, duke dyshuar se dikush qëllimshëm ka ndalur sasinë e ujit te penda e liqenit të Ujmanit.
Hetemi, duke evokuar kujtimet nga e kaluara, rrëfen për kohët kur në Ibër janë larë fëmijët dhe të rinjtë, kur Ibri ishte përplot me peshq, gaforre e gjallesa tjera, por edhe kur ky lumë shërbente si mjet transporti për drutë, të cilat qytetarët i blinin në Kollashin dhe i hidhnin në Ibër, valët e të cilit i bartnin këta dru deri në Mitrovicë.
“Po shikoj dhe po më duket afër një katastrofe ekologjike të ekosistemit. Unë kam jetuar afër këtu dhe që nga ajo kohë nuk mbaj mend që niveli i ujit të Ibrit ka rënë kaq shumë… Frikësohem se nuk do të ketë më peshq Ibri… Pasoja e temperaturave të larta ka sigurisht ndikim, por temperaturat e larta kanë qenë edhe më herët, mirëpo besoj se edhe faktori njeri ka dorë në këtë.
Penda e Gazivodës – Ujmanit ndoshta është ndalur atje për shkak të furnizimit me ujë… Jemi larë në Ibër krejt qyteti, kemi pirë ujë të Ibrit, ka pasur peshqi, gaforre, gjallesa tjera, por tash ka ndryshuar komplet… Edhe atë pjesë e mbaj mend, ka qenë një fabrikë e drurit lart (Kollashin-Zubin Potok v.j.), e cila për shkak të transportit më të lehtë, drutë…janë lëshuar në Ibër dhe kanë ardhur deri te stacioni i trenit poshtë (në Mitrovicë) ku është bërë mbledhja e tyre”, thotë Hetemi.
Edhe Isuf Jashari, 74-vjeçar poashtu nga Mitrovica, bënë të ditur se nuk mban mend të ketë parë nivel kaq të ulët të ujit në Ibër.
“Qe 74 vjet nuk mbaj mend nivel kaq të ulët të ujit… Si pasojë e thatësisë ndoshta… Kam ardhur me hy në ujë, por duhet të kthehem… Po thonë se ky ujë është shumë ‘ilaç…për reumë’”, thotë ai.