15/06/2024

Kina vendos kufizime të reja për grupet fetare

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Partia Komuniste Kineze thotë se udhëzimet e reja do të forcojnë legjislacionin dhe menaxhimin e objekteve fetare, por ato duket se janë kufizime të mëtejshme për lirinë fetare dhe hynë menjëherë në fuqi të premten.

Masat Administrative për Objektet e Aktivitetit Fetar u vendosin organizmave fetare detyrimin që “të mbështesin udhëheqjen e Partisë Komuniste Kineze, të mbështesin sistemin socialist dhe të zbatojnë me rigorozitet epokën e re të socializmit të Xi Jinping-ut me karakteristikat kineze”.

Rregullat e reja u ndalojnë ndër të tjera organizatave dhe individëve përdorimin e vendndodhjeve fetare për të rrezikuar sigurinë kombëtare apo për të trazuar rendin social, interesat publike dhe të drejtat ligjore të shtetasve.

Bitter Winter, një faqe në internet që monitoron lirinë fetare dhe të drejtat e njeriut në Kinë, shkruajti javën e kaluar se urdhërat e rinj “konfirmojnë se objektet e aktivitetit fetar duhet të transmetojnë në mënyrë aktive propagandën e Partisë Komuniste Kineze, ose të përballen me eliminimin”.

Faqja shtoi se “ka kufizime më të rrepta për përfshirjen e përmbajtjes propagandistike gjatë predikimeve, si dhe urdhërohet krijimi i grupeve studimore për materialet e Partisë Komuniste Kineze në të gjitha objektet fetare. Gjithashtu ndalohet ndërtimi i statujave të mëdha jashtë tempujve dhe kishave, si dhe nga qytetarë privatë apo donatorë”.

Përpara publikimit në 15 maj të Raportit për Lirinë Fetare Ndërkombëtare gjatë vitit 2022, një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit u tha gazetarëve se Kina është ndër shkelësit më të rëndë të të drejtave të njeriut dhe lirisë fetare në botë.

Liu Pengyu, zëdhënës i ambasadës kineze në Uashington, u shpreh në një mesazh dërguar me postë elektronike shërbimit në gjuhën kineze të Zërit të Amerikës se “hartimi i udhëzimeve të politikave do të ndihmojë për të përmirësuar standartizimin dhe institucionalizimin e administrimit të objekteve ku zhvillohen aktivitete fetare, si dhe do të ruajë të drejtat legjitime dhe interesat e besimtarëve dhe të objekteve për aktivitetet fetare. Qeveria kineze mbron lirinë e besimit fetar të shtetasve në përputhje me ligjin. Njerëzit e grupeve etnike në Kinë kanë plotësisht të drejtën e besimit fetar, siç përshkruhet në ligj… U bëjmë thirrje palëve përkatëse të ndalin përdorimin e të ashtuquajturave çështje fetare, për të ndërhyrë në punët e brendshme të Kinës”.

Liu Fenggang pati shërbyer si pastor në Holy Love Fellowship, një kishë e krishterë në Pekin, i cili tashmë jeton në Kanada pasi u burgos për disa vite për shkak të aktivizmit të tij për lirinë fetare.

Ai thotë se sipas rregullave të reja, nëse të krishterëve iu duhet të mbështesin Partinë Komuniste dhe socializmin, atëherë të krishterëve u mbetet vetëm “të bëhen anëtarë partie”.

Chen Jiangang, jurist kinez për të drejtat e njeriut që jeton tashmë në Shtetet e Bashkuara, tha se kjo është hera e parë që personelit fetar i vendoset detyrimi që t’i përmbahen “mendimit të Xi Jinping-ut për socializmin me karakteristikat kineze për një epokë të re”.

Ai shton se rregullat e reja ua mohojnë kinezëve plotësisht lirinë fetare. “Rregulloret fetare të publikuara rishtazi nga Partia Komuniste Kineze na kanë mohuar pothuajse të gjithëve lirinë në fushën fetare”, thotë ai.

Sipas një raporti të publikuar më 30 gusht nga organizata Pew, të titulluar “Matja e religjionit në Kinë”, Pekini njeh pesë besime fetare – budizmin, katolicizmin, islamin, protestantizmin dhe taoizmin – si dhe “monitoron nga afër objektet e tyre të adhurimit, emërimin e klerit dhe financimin. Shumë nga aktivitetet që mund të ndihmojnë për mbarëvajtjen apo zgjerimin e këtyre pesë grupeve, janë të ndaluara, përfshirë konvertimin dhe arsimimin e organizuar fetar për fëmijët, siç janë klasat e katekizmit apo kampet verore fetare. Zbatimi i këtyre rregullave varion në periudha dhe provinca të ndryshme, por që me ardhjen në pushtet të Presidentit Xi Jinping në vitin 2012, zyrtarët vendas nuk i anashkalojnë më aktivitetet e këtilla”.

Kontrollet janë shtuar që nga viti 2018, kur Pekini publikoi Rregullat për Çështjet Fetare.

Në fillim të vitit 2021, Administrata Shtetërore për Çështjet Fetare të Kinës publikoi Masat për Administrimin e Personelit Klerik Fetar, që hyri në fuqi në 1 maj 2021.

Vitin e kaluar, në qershor 2021, hyri në fuqi legjislacioni për Menaxhimin Financiar të Vendeve me Aktivitet Fetar.

Z. Liu thotë se masat më të fundit tregojnë se kontrolli i Partisë Komuniste Kineze mbi lirinë fetare po bëhet edhe më i rreptë dhe se masat janë hartuar si një formë cinizmi ndaj krishtërimit.

Z. Chen beson se rregullat e ndryshme për aktivitetet fetare, personelin dhe objektet në pronësi të tyre, nuk e mbrojnë lirinë fetare, por se forcojnë më tej kontrollin e rreptë të Partisë Komuniste Kineze ndaj fesë.

Masat e reja përfshijnë manastiret, xhamitë, kishat dhe objektet e tjera të aktivitetit fetar, që janë të regjistruara tashmë në përputhje me rregulloret e mëparshme.

Udhëzimet e reja duket se nuk vlejnë për shërbesat kishtare të mbajtura nëpër shtëpi apo të paregjistruara, pasi ato nuk kanë një vendndodhje fikse.

Por udhëzimet “i përshkruajnë këto drejtpërdrejt si të paligjshme, me personel ilegal, takime ilegale dhe donacione ilegale”, thotë z. Chen. “Këto vende do të nxirren jashtë ligjit, do të mbyllen, dhe personeli i tyre do të ndëshkohet, arrestohet dhe dënohet. Dhe në thelb prona do të konfiskohet”. /voa

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...