08/10/2024

KIPRED: Rusia po e përdor dialogun Kosovë-Serbi për t’i realizuar qëllimet e veta gjeopolitike në Ballkan

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Rusia procesin e dialogut [Kosovë-Serbi] nuk e sheh si të izoluar nga qëllimet e veta të përgjithshme gjeopolitike në Ballkan, thuhet në një raport të publikuar më 1 mars nga Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED).

Sipas raportit të KIPRED, synimi i Rusisë është posaçërisht nga mbajtja e Serbisë dhe serbëve brenda orbitës ruse pengimi i zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s në rajon.

“Pavarësisht se Serbia edhe pse është në procesin e negociatave për anëtarësim në BE, ajo ka refuzuar që ta përafroj politikën e saj të jashtme me atë të BE-së në raport me Rusinë”, thotë raporti i KIPRED-it.

Më tej, thuhet se lufta në Ukrainë e ka shpalosur thellësinë e marrëdhënieve politike, të sigurisë dhe ekonomike midis Rusisë dhe Serbisë, të cilat janë forcuar edhe më tutje me ardhjen në pushtet të Partisë Progresive Serbe të Vuçiqit, dhe të Partisë Socialiste të Daçiqit më 2012.

“Rusia përpiqet ta shfrytëzojë rastin e Kosovës, domethënë intervenimin e NATO-s më 1999 dhe shpalljen e pavarësisë më 2008, si një monedhë shkëmbimi për grumbullimin e përfitimeve në Ukrainë dhe në Gjeorgji, për t’i legjitimuar luftërat e veta aneksuese”.

Raporti thotë se mungesa e unanimitetit përbrenda komunitetit euro-atlantik ndaj Kosovës – me pesë vende të BE-së që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës – ka krijuar më shumë hapësirë manovruese për Rusinë për t’i penguar përpjekjet perëndimore dhe për t’u angazhuar me këmbëngulje në rrënimin e themeleve të shtetësisë së Kosovës dhe për de stabilizimin e rajonit.

“Kjo hapësirë është krijuar nga fakti se për integrimin e Kosovës në BE dhe NATO nuk është i nevojshëm anëtarësimi paraprak në KB, ku Rusia e posedon të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit”.

“Një shtysë e rëndësishme për Rusinë për ta ndikuar dialogun Kosovë–Serbi është fuqia e saj për ta bllokuar anëtarësinë e Kosovës në KB dhe në OSBE – anëtarësia e papenguar e Kosovës në organizatat ndërkombëtare është një nga shtyllat kyçe të marrëveshjeve të Brukselit/Ohrit, të vitit 2023”, theksohet ndër të tjera.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga BE-ja, ka nisur qysh në vitin 2011. Qëllimi është normalizimi i marrëdhënieve në mes të dy vendeve. Kosova ka shpallur pavarësinë më 2008 dhe njihet nga 117 shtete, por Serbia vazhdon ta konsiderojë pjesë të saj.

E në raportin e KIPRED-it thuhet se ndërsa ishte jashtë tabelës së bisedimeve, në dialogun e ndihmuar nga BE-ja që filloi në marsin 2011, qëllimi kryesor i Federatës Ruse ishte që ta parandalonte dhe pengonte përfundimin e suksesshëm të procesit të dialogut, duke u përpjekur për ta diskredituar BE-në dhe Perëndimin, dhe që atë rol ta rikthente në KS KB. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...