UEFA ka bërë përditësimet e fundit në “Access List” për sezonin e ardhshëm 2024/25 dhe klubet nga Kosova kanë fituar terren në garat evropiane, duke pasur tani një përfaqësues në Ligën e Evropës dhe një raund më shumë në Ligën e Konferencës.
Ekipet e Kosovës nga sezoni i ardhshëm do të jenë më të avantazhuara sesa ekipet shqiptare në lidhje me ecurinë në kualifikueset e garat evropiane.
E gjithë kjo vjen pas paraqitjeve të mira të ekipeve kosovare në pesë sezonet e fundit, ku fillimisht rol të madh luajten Prishtina dhe Drita duke sjell shumë pikë në renditje.
Megjithatë, suksesi dhe rritja e madhe erdhi nga rezultatet e Ballkanit në sezonin e fundit, ku arriti grupet e Ligës së Konferencës.
Këto paraqitjet pozitive kanë bërë që kampionati i Kosovës të ketë një koeficient më të mirë se ai shqiptar apo edhe maqedonas, duke u renditur në pozitën e 33-të, ndërsa Shqipëria renditet e 49-ta dhe Maqedonia e Veriut e 52-ta.
Përveç kësaj, klubet e Kosovës kanë fituar terren në garat evropiane, duke fituar një raund në Ligën e Evropës dhe një në Ligën e Konferencës për garat e sezonit 2024/25, shkruan Telegrafi.
Kampioni i Kosovës do të nis garat nga raundi i parë i Ligës së Kampionëve, ndërsa nëse eliminohet i vazhdon garat nga raundi i dytë i Ligës së Konferencës.
Edhe fituesi i Kupës në Kosovës në këtë edicion do të ketë dy mundësi. Do ta nisë rrugëtimin evropian nga raundi i parë i Ligës së Evropës, ndërsa nëse eliminohet kalon në raundin e dytë të Ligës së Konferencës.