Ndjej keqardhje që janë 22 vite pas luftës dhe ende ka përplasje për çështje të tilla, kjo shpërfaq edhe një herë pafuqinë tonë si shtet për nxjerrjen në pah të së vërtetës historike.
Personalisht, Kompleksin Memorial në Vrellë, si ide në parim e shoh si të çelluar, por jo tërësisht, mendoj që zharrosja e dëshmorëve dhe dërgimi atje ku është ndërtu ky memorial, nuk është aspak e logjikshme dhe e pranueshme.
Ai Kompleks do të duhej të dizajnohej që të gdhendeshin emrat e të gjithë dëshmorëve, fotogragitë e tyre, pse jo edhe një profil i shkurtër për secilin, por varret, të mbesin në vendin ku janë varros pas rënies, fundja, dërgimi i trupave të tyre në atë Kompleks, as nuk i ngritë në gradat e dëshmorit, e as nuk i ulë. Si do që të jetë vendimi mbetet i familjeve se çka do të bëjnë me të dashurit e tyre që dhanë jetën për lirinë e vendit.
Me familjen e Smajl Kabashit jam në kontakt qe disa vite dhe kontaktet vazhdojnë edhe sot. Ata më kanë siguruar dokumente të ndryshme në lidhje me Smajl Kabashin, duke filluar nga çertifikata e lindjes, gazeta, ditarin personal të tij, çertifikata e vdekjes e cila specifikon vrasjen, fotografi, etj. Pra, nëse shkruaj për të, di se çka po flas! Kur gjendet ditari personal i ndonjë personaliteti të caktuar, çdo dëshmi tjetër bie përball tij, sepse ditari shkruhet që të lexohet vetëm nga autori dhe pa dyshim që askush nuk do të shkruante një të pavërtetë që ta gënjente vetën (absurditet)! Andaj, në ditarin e tij personal, kam lexuar të gjithë rrjedhën e ditëve që ai kishte kaluar në periudhën e luftës, duke rrëfyer çdo ditë me disa rreshta ngjarjet kryesore brenda ditës.
Aty përmend edhe armën e tij, përmend bombardimet, përmend luftimet, etj. Atëherë, ata që dinë se çka është burimi i shkruar historik, heshtin para këtij ditari personal që une posedoj. Megjithëatë, për ata që si kuptojnë burimet e shkruara ka edhe burime të tjera që mund ti sigurojnë informacion të duhur! Si p.sh. dokumente të nënshkruara nga bashkëluftëtarët si dëshmi se Smajl Kabashi ishte ushtar i ushtrisë kryengritëse të Kosovës, Ushtria Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilat për hirë të privatësisë nuk do ti publikoj.
Pastaj, në intervistën e realizuar me Hoxhën e Xhamisë te “Katër Llullat” në Prishtinë, Husamedin Abazi, i cili ishte shok i ngushtë i Smajl Kabashit, thoshte: “Jam shumë i habitur se si Smajli nuk është në listën e dëshmorëve, kur të gjithë e dimë se ai u vra në radhët e UÇK-së”. Por pse nuk është ai në listën e dëshmorëve të kryengritjes 1997-1999!? Së pari: “Dëshmor është ai që vritet në luftën për liri e për drejtësi shoqërore, ai që fal jetën për të mirën e popullit e të atdheut”, pra, këtë kusht, Smajl Kabashi e ka përmbush. Megjithatë kjo çështje mbetet në ndërgjegjen dhe duart e personave kompetent, anipse nuk ka ndonjë shenjë për realizim të klasifikimit në këtë rang të te rënëve.
Nëse flasim për dëshmorët e Istogut në përgjithësi, personalisht jam konfuz, sepse faktet dhe dokumentet, në një Revistë istogase të pasluftës “Gurrat e Bardha” viti 2000, ishin 47 dëshmorë istogas, në hulumtimet e mia në shoqatën e veteranëve dhe dëshmorëve, dokumenti që më kanë dhënë thotë se numri i dëshmorëve është 65, ndërsa e fundit, thuhet se janë 51 dëshmorë nga Istogu! Se cila është e vërteta, mbetet të shihet (ndonjëherë)! Pra, listat e dëshmorëve duhet të hulumtohen më thellësisht sesa Smajl Kabashi për të cilin ka prova të bollshme.
Fakti pse nuk është pranuar Smajl Kabashi si dëshmir, nuk e bën të vërtetë vendimin, ngase ka fakte se ai ishte pjesë e UÇK-së, por mendoj që problematika është më e thellë dhe e inateve regjionale. Si përfundim, mund të themi se Smajl Kabashi u vra nga një gjuajtje me snajper i cili ishte me armë në dorë në radhët e kryengritësve të UÇK-së, gjë të cilën e kanë dëshmuar edhe bashkëluftëtarët e tij dhe ditari i tij personal.
Mospranimi i Smajl Kabashit në listat e dëshmorëve, nuk e bënë atë më pak dëshmorë se të tjerët që janë në ato lista, sepse fundja, as ai dhe as të tjerët nuk luftuan për një status dëshmori, por lirinë e Atdheut. Passhkrim: Pjesë nga ditari personal i Smajl Kabashit: 29 mars 1999 Me një çantë në dorë duke bërë rojë, sot po i mbush 21 vjet. Në këtë çantë, kam ca bukë, fotot e familjës dhe shoqërisë, poezitë e Agronit dhe të miat. Kurse në çantën e trupit tim kam me mijëra fotografi dhe fjalë të vëllezërve, motrave, të te afërmve, e sidomos të Nënës dhe Babait. Sikur më flasin çdo sekond.
Çdo sekond më trimërojnë këto fjalë. 2 prill 1999 Në maje të maleve të quajtura “Çuka”, me çantën time e me një shok të hekurt në dorë (arma e tij S.K.). Sa më i ftoht që është hekuri, aq më shumë më ngrohë. “Çukat” është shtëpia jonë e ditës, kurse natën, bën edhe në fshat. 6 maj 1999 Dita e shëngjergjit. Po nisem për Trudë… (fjalët e fundit të tij që shkroi para se të vritej S.K.)
Shkruan: Sali O Kabashi