Komuna e Graçanicës po akuzohet për diskriminim dhe standarde të dyfishta në procesin e dhënies së lejeve të ndërtimit, për banorët shqiptarë.
Banorët shqiptarë kanë shprehur shqetësimet e tyre se po përjashtohen padrejtësisht nga ky proces, duke ngritur zërin për trajtim të pabarabartë dhe mungesë të transparencës.
Zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal të Graçanicës, Granit Gashi muaj më parë ka thënë se neni 36 i rregullores së miratuar në vitin 2018 po aplikohet vetëm për banorët shqiptarë. Sipas tij që nga viti 2018 e deri më tani nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi për banorët shqiptarë të Komunës së Graçanicës.
Për këtë problematikë ai njoftoi se kanë parashtruar kërkesa edhe në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, si dhe tek Avokati i Popullit, për të cilin thotë se janë në pritje të një raporti final.