Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në vazhdën e vizitës zyrtare në Estoni, u prit në takim nga Presidenti i Republikës së Estonisë, Alar Karis, të cilin e njoftoi me situatën politike në vendin tonë.
Konjufca falënderoi presidentin e Estonis për pritjen e ngrohtë dhe i shprehu mirënjohje për mbështetjen e shtetit estonez ndaj Republikës së Kosovës dhe synimeve të saj për integrim në strukturat evropiane e ndërkombëtare.
Sipas një komunikate të Kuvendit, në takim u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm midis dy shteteve mike, duke ndaluar te nevoja e shqyrtimit të mundësive për të forcuar edhe më tutje raportet mes tyre.
“Angazhimi për paqen, në kohë si këto, konfirmohet nga gatishmëria për të mbrojtur vlerta tona po aq sa edhe territoret tona, me çdo kusht e me të gjitha mjetet e nevojshme. Kjo është ajo që mbi të gjitha duhet të na sjellë çdoherë e më pranë, gjithnjë e më shumë”, theksoi kryetari Glauk Konjufca.