Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se jo të gjitha marrëveshjet me Serbinë mund t’i pranojë Kosova.
Ai para mediave tha se nuk mund të pranohet bosnjëzimi i vendit, derisa shtoi se kryeministri Albin Kurti e ka ekipin e vet që t’i analizojë ato nëse janë me interes apo jo. Kritika adreson për BE-në, për të cilën tha se ka qasje të pabalancuar mes dy vendeve.
Kryeparlamentari Konjufca tha se kërkesat e Serbisë janë bërë plan i Bashkimit Evropian.
“Jo të gjitha marrëveshjet mund t’i pranojmë, ne e analizojmë, kryeministri e ka ekipin e vet, dhe vetë atje është për këtë punë që t’i analizojë nëse ato janë në interes të Kosovës apo jo. Ne nuk do të lodhemi kurrë që edhe më tutje të argumentojmë me Bashkësinë Ndërkombëtare që kjo është një pozicionim prej të cilës Kosova nuk mund të heqë dorë. Po të hiqte dorë, mund të qojmë në bosnjëzimin e Kosovës. Populli e ka votuar Lëvizjen Vetëvendosje përpos arsyeve të tjera, unë mendoj që njëra prej arsyeve kryesore, qendrore pse Lëvizja Vetëvendosje ka fituar para dy vjetëve, me e spotu këtë proces të bosnjëzimit të Kosovës”, tha ai, raporton kp.
Ai tregoi edhe arsyet se pse e konsideron të pabalancuar qasjen e BE-së ndaj Kosovës.
“Mua më duket e pabalancuar, sepse të gjitha kërkesat që parashtrohen në drejtim të Kosovës korrespondojnë me ato që na i kërkon neve vetë Serbia, sikur dorëheqja pa kurrfarë procedure e kryetarëve të komunave, zhvleftësimi i procesit demokratik edhe i ligjshmërisë së institucioneve tona, të gjitha këto janë kërkesa të Serbisë dhe fatkeqësisht Bashkimi Evropian po na i kërkon këto. Ne nuk mund ta shkelim shtetin tonë. Do të shkojë përmes kushtetutshmërisë, përmes ligjeve të cilat kanë para shikueshmëri. Është transparent procesi se kur japin kryetarët e komunave dorëheqje se çka ndodhë në Republikën e Kosovës. Kjo do të ndodhte edhe në komunat e tjera jo vetëm në atë të veriut. Sot, një kryetar i pjesës së këtyre komunave të tjera nëse jep dorëheqje organizohen zgjedhjet”, tha Konjufca.