13/06/2024

Konjufca: Shqipëria dhe Kosova krah njëra-tjetrës në procesin e integrimit

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë në konferencën e përbashkët shkencore të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, me temën “Harmonizimi i legjislacionit mes Kosovës dhe Shqipërisë në procesin e integrimit evropian”.

Në fjalën e tij kryetari Konjufca theksoi se ky takim, në vazhdën e aktiviteteve të përbashkëta, thellon bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, me theks të veçantë në fushën e harmonizimit të legjislacionit mes dy vendeve tona, në kuadër të procesit të integrimit evropian.

“Shqipëria dhe Kosova, si dy shtete aspirante për integrim në Bashkimin Evropian, por para së gjithash si dy shtete që përfaqësojnë ëndrrën e të njëjtit komb, duhet të jenë në krah të njëra-tjetrës në procesin e gjatë e të vështirë të integrimit në BE”, theksoi kryetari Konjufca.

Kreu i Kuvendit shtoi se në këtë proces Shqipëria si shtet me përvojë të avancuar në sferën e integrimit evropian, mund ta ndihmojë shtetin e Kosovës në kapërcimin e pengesave, të cilat ajo i ka tejkaluar.

Gjithashtu kryetari Konjufca tha se mënyra më e mirë e kompensimit të kohës së të qenit të ndarë padrejtësisht, është kjo, nëpërmjet bashkëpunimit në fushën e legjislacionit, krijimit të trupave të përhershëm dhe shkëmbimit të përvojave reciproke. Kreu i Kuvendit tha se kjo mundëson largimin e dallimeve sociale, të cilat janë prodhuar si rezultat i ndarjes juridike e politike të kombit tonë.

“Është në dorën tonë, si shtete dhe si parlamente, që ta kompensojmë kohën e gjatë e të qenit të ndarë padrejtësisht, që tani përmes legjislacionit të sheshojmë dallimet sociale që kanë prodhuar rendet e ndara politike e juridike mbi kombin tonë, veçanërisht në Kosovë dhe trojet e tjera jashtë Shqipërisë. Në modernitet identiteti kombëtar dhe kultura kombëtare kultivohen çdo ditë me mekanizma shtetërorë, me synimin për ta mirëmbajtur homogjenitetin dhe kohezionin social e identitar, të domosdoshëm për ekzistencën dhe prosperitetin e kombit tonë”, përfundoi kryetari Konjufca.​

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...