Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, së bashku me 10 deputetë të tjerë kanë propozuar 20 amendamente për Projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertizilimin e asistuar.
Ai tha se siç është propozuar ky projektligj cenohet institucioni i familjes dhe i martesës.
“Sigurisht që për çdo amendament ka edhe arsyetim. Normalisht që për çdo amendament që e kemi propozuar kemi një pjesë e grupit të deputetëve, nënshkrues kë këtyre amendamenteve më lejoni të them që ky ligj ka prodhuar një debat të gjerë në shoqërinë tonë dhe është jashtëzakonisht problematik nëse kalohet kështu siç është propozuar në Kuvend, sepse këtu drejtpërdrejtë cenohet institucioni i familjes dhe i martesës, dhe u jepet të drejtë individëve që të krijojnë familje duke përjashtuar rëndësinë që ka institucioni i familjes”, ka thënë ai.
Kështu deputeti i VV-së, tha se përmes një amendamenti kanë kërkuar që e drejta riprodhuese t’i takojë çiftit e jo vetëm individit.
“E drejta riprodhuese t’i takojë çiftit që të vendosin lirshëm dhe të marrin përgjegjësinë nëse duan të kenë fëmijë, për numrin, shpeshtinë dhe kohën në të cilën ata duan që të kenë fëmijë, të kenë qasje në informata në komunikim që do t’u mundësojnë atyre që vendimet të jenë të mbështetura me evidencë. Pra jo t’i jepet e drejta individit por të përqendrohet e drejta tek çifti”, ka thënë Korenica.