Shkruan: Mr. Amir Shabani
Ndonëse Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës doli mbi Kushtetutën dhe refuzoi padinë për moslejimin e mbajtjes së shamisë për femrat muslimane në shkollat publike, përkundër faktit se janë mbi 94% muslimanë dhe rrjedhimisht shkel mbi të drejtat themelore të njeriut të garantuara me ligj dhe konventa ndërkombëtare, një padrejtësi e tillë as që diskutohet në shtetin fqinj, siç është Maqedonia e Veriut.
Në Maqedoninë e Veriut nuk jemi më shumë se 35% muslimanë të deklaruar zyrtarisht, mirëpo padrejtësi të tilla nuk kemi hasur saqë institucionet të ndërmarrin vendime për cënimin e lirisë dhe të drejtës së veshëmbathjes. Madje tek ne nuk është problematike edhe falja e namazit në vendin e punës dhe shkuarjen në xhami për namazin e xhumasë.
Në lidhje me temën në fjalë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës së RMV-së ka deklaruar: “Rregullimi ligjor në arsim në Maqedoni nuk e kufizon mbajtjen e hixhabit në shkolla dhe deri më sot nuk është iniciuar asnjë diskutim për ndryshimin e ligjeve. Veshja e nxënësve dhe mësuesve gjatë orëve të mësimit rregullohet nga vetë shkollat duke zhvilluar dhe miratuar një kod përmes organeve drejtuese dhe vendimmarrëse.”
Maqedonia, së bashku me Kroacinë, Slloveninë, Malin e Zi, Shqipërinë, Greqinë dhe madje edhe Serbinë, është ndër vendet më liberale kur bëhet fjalë për të drejtën e mbajtjes së veshjeve fetare në vende publike dhe kjo vlen veçanërisht për mbulimin e fytyrës dhe kokës së grave muslimane.
Franca është vendi i parë evropian që ndaloi mbajtjen e burkës dhe nikabit në vende publike në vitin 2010 dhe përveç Francës, ekziston një ndalim i plotë ose i pjesshëm për mbulimin e fytyrës në Belgjikë, Danimarkë, Austri, Bullgari dhe Zvicër, Holandë, Norvegji dhe pjesë të Gjermanisë.






