Është hapur në sheshin “George Bush” në Prishtinë panairi “Gratë në Biznes”, në të cilin po marrin pjesë biznese dhe shoqata të grave ndërmarrëse nga komunitete të ndryshme në Kosovë.
Nën organizimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, në këtë panair u vendosën produkte të ndryshme të bizneseve të udhëhequra nga gratë.
Veshje kombëtare, ushqime tradicionale, instrumente muzikore, punime artizanale të bëra nga duart e grave, zunë vend në sheshin e Prishtinës në kuadër të panairit.
Ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë , Rozeta Hajdari, e cila e hapi zyrtarisht panairin, tha se qëllimi i Qeverisë së Kosovës është që të rritet sa më shumë pjesëmarrja e grave në biznese “gjë për të cilën ekzekutivi edhe e ka lehtësuar këtë rrugë”.
“Tani kemi lehtësuar regjistrimin e bizneseve për gratë duke u ndihmuar atyre me grante në artizanate. Tani për tani kjo ministri ka lansuar grant-skemën për artizanatet, për punëdoret e juaja të cilat sot po i ekspozoni”, tha ministrja Hajdari duke shtuar se janë afër gjysmë-milionë euro për gratë që do të aplikojnë për grante.