Analisti serb i cili jeton në veri të Kosovës, Branisllav Kërstiq, duke folur hapur për kërcënimet dhe frikësimin e popullatës serbe në veri të cilët dëshirojnë ta pranojnë pavarësinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës, thotë se shantazhimi dhe presioni ndaj tyre vjen drejtpërdrejt nga shërbimi sekret serb BIA dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai, gjatë një bashkëbisedimi për KosovaPress, ka pranuar prezencën dhe veprimtarinë e grupeve kriminale në atë pjesë, për të cilat tha se janë zhvilluar përmes Listës Serbe.
Kërstiq foli edhe për kadetët serbë të sapo rekrutuar në Policinë e Kosovës të cilët dhanë dorëheqje, duke thënë se ata ishin projekt i izoluar dhe jashtë kontrollit të kryetarit të Serbisë dhe Listës Serbe.
“Ata të cilët kanë dhënë dorëheqje kanë qenë në një projekt të izoluar dhe jashtë kontrollit nga Lista serbe dhe kabinetit të diktatorit në Beograd… Ata të cilët kanë aplikuar, pra kadetët të cilët e kanë braktisur Policinë e Kosovës, nuk janë në buxhetin e shtetit të Serbisë… Ne e dimë se kriminelët në veri u zhvilluan me Listën Serbe…
Shantazhimi (ndaj qytetarëve serbë në veri v.j.) vjen drejtpërdrejt nga BIA dhe kabineti i kryetarit të Serbisë. Që do të thotë se tani kemi një shantazhim dhe presion tjetër kundër atyre të cilët janë të gatshëm ta pranojnë pavarësinë e shtetit të Kosovës dhe të cilët janë të gatshëm të aplikojnë për formimin e partive politike brenda shtetit të Kosovës. Ata janë tani target nga Lista Serbe edhe nga kryetari i Serbisë”, ka thënë Kërstiq, raporton kp.
Edhe drejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se rreziku sa i përket kërcënimeve ndaj policëve serbë vjen nga Serbia dhe grupet e sponsorizuara nga ky shtet.
Sipas tij, ky është një problem i cili duhet zgjidhur në rrafshin politik më shumë, sesa në rrafshin operacional në terren.
Ai, për shkak të zhvillimeve të fundit policore dhe politike, nuk ka dashur të përmend shifra të sakta të policëve të rinj serbë që kanë dhënë së fundi dorëheqje.
“Ne konsiderojmë se në veri të vendit ka grupe kriminale dhe ka njerëz të cilët merren me kriminalitet, me vepra penale të cilat janë të dënueshme sipas ligjit të Kosovës. Ne jemi duke u marrë me ta… Rreziku dhe kërcënimet që ju bëhen kolegëve tonë nuk vijnë nga veriu, por vijnë nga Serbia dhe grupet atje të cilat janë të sponsorizuara nga shteti. Janë institucionet shtetërore të cilat i bëjnë këto kërcënime…
Dhe kur kërcënimet vijnë nga shteti fqinj, Serbia, atëherë presioni është më i madh dhe me siguri se kjo mund të zgjidhet në aspektin politik më shumë sesa në atë operacional në terren… Ne në gjeneratën e fundit i kishim 46 serbë nga totali 74, bashkë me katër të tjerë ka qenë numri pesëdhjetë, por për arsye të ndryshme të punëve që janë duke u bërë në aspektin policor edhe politik, unë nuk jam duke diskutuar për numra sa kanë dhënë dorëheqje, kemi disa dorëheqje të kolegëve tonë”, sqaroi Elshani.