Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar në Presidencë propozimin e tyre se kur do të duhet të mbahen zgjedhjet parlamentare. Presidentja e vendit, Vjosa Osmani të enjten ka konfirmuar se ka pranuar propozimin e LVV-së, mirëpo nuk bëri të ditur se cila është data e tyre e preferuar që vendi të shkon në zgjedhje.
Megjithatë është mësuar se Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar datën 2 shkurt, si datën më të mirë që qytetarët t’i drejtohen kutive të votimit.
Data 2 shkurt, është propozuar vetëm nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi që subjektet opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në takimin konsultativ që kishin mbajtur me presidenten Osmani, kishin propozuar datën 26 janar për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit që kishte pasur me liderët e subjekteve politike kishte pohuar se janë brenda afatit të konsultimeve dhe se ligji parashikon katër data të mundshme për zgjedhjet: 26 janar, 2 shkurt, 9 shkurt dhe 16 shkurt, pasi zgjedhjet mbahen vetëm të dielave.
Ndryshe, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë deklaruar se përgatitjet intensive për zgjedhje do të nisin sapo të caktohet data.