Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot për në Bosnje dhe Hercegovinë për të marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, e cila po mbahet në Qendrën Memoriale të Srebrenicës në Potoçari.
Lajmi është bërë i ditur nga Qeveria e Kosovës përmes një komunikate për media, ku theksohet se Kurti po udhëheq delegacionin e Kosovës, të përbërë nga ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, dhe zëvendëskryeministrja e tretë në detyrë, Emilija Rexhepi, e cila përfaqëson komunitetin boshnjak në Kosovë.
Vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës shpalli 11 korrikun si ditë përkujtimore për gjenocidin e Srebrenicës, në nderim të mbi 8 mijë viktimave të masakrës së vitit 1995.
Pjesëmarrja e Kurtit në këtë ceremoni vjen në kuadër të angazhimit institucional për të nderuar viktimat dhe për të mbështetur kulturën e kujtesës dhe drejtësisë për krimet e së kaluarës në Ballkan.