lerim Isufaj, kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës, në konferencën për media, lidhur me ngritjen e aktakuzave për krime të luftës, foli për punën sfiduese dhe të ndjeshme për Prokurorinë e Kosovës e cila tregon përkushtimin e Prokurorisë Speciale për drejtësinë, për krimet e luftës.
“Prokurorët tanë po punojnë me shumë përkushtim, përkundër sfidave që hasim në sigurinë e provave dhe dëshmive, përkundër faktit që ka kaluar një kohë e konsiderueshme dhe janë krijuar vështirësi për një punë sa më të suksesshme në identifikimin e kryesve dhe kapjen e tyre për t’i sjellë para drejtësisë, me këtë rast dua t’i siguroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se Prokuroria Speciale do të vazhdojë pa u ndalur në hetimin dhe ndjekjen e të gjitha rasteve që kanë të bëjnë me krime të luftës përkundër vështirësive që na presin”, deklaroi Isufaj.
Ai me këtë rast i falënderoi prokurorët e Prokurorisë Speciale për punë e mirë që po e bëjnë, jo vetëm në rastet e krimeve të luftës, por të gjitha rasteve të tjera që janë në kompetencën e kësaj prokurorie.
Hajdari: Vështirësi, mungesa e kryesve të krimeve, të cilët nuk jetonin në Kosovë
Drita Hajdari, prokurore, tutje, prezantoi rezultatet e punës lidhur me masakrën e Mejes dhe në Burgun e Dubravës,
Prokurorja Hajdari së pari foli për historikun e institucioneve të drejtësisë që nga paslufta e këndej, duke bërë të ditur se për procedimin e krimeve të luftës fillimisht ishte në kompetencën e UNMIK-ut, për të vijuar te EULEX-i.
Sipas saj kompetencat e plota Prokuroria Speciale e Kosovës i ka marrë më 2016, por që, sipas saj, të gjitha rastet (fizikisht) i ka pranuar më 2018, ku, në mesin e rasteve të shumta për krime lufte, ishte edhe rasti Mejes.
“Sa i përket aktakuzave, ju njoftoj se deri më tani prokurorët vendorë kanë ngritur 33 aktakuza me 89 persona”, deklaroi prokurorja Hajdari.
Ajo, më tej, sqaroi punën Prokurorisë me vështirësi të shumta e ndër më të kryesore ishte mungesa e kryesve të krimeve, të cilët nuk jetonin në Kosovë, por në Serbi, derisa viktimat janë në Kosovë.
“Por ne nuk jemi ndalur dhe kemi zhvilluar hetimet”, shtoi prokurorja Hajdari.
Prokurori Morina: Prej 88 të pandehurve, vetëm një i paraburgosur
Ndërsa prokurori Ilir Morina, i cili foli për masakrën e Dubravës, bëri të ditur se për këtë rast ka filluar shqyrtimi gjyqësor që dje.
“Në një hetim në rastin e Dubravës janë të përfshirë 88 të pandehur dhe ky hetim është duke u vazhduar qe një kohë të gjatë, sepse është një lëndë e trashëguar nga EULEX-i”, vuri në dukje prokurori Ilir Morina.
Ai më tej sqaroi arsyen e diskutimit tani është se është vetëm një person i pandehur është në paraburgim.
“Urgjenca e procedimit të çështjes ndaj këtij të pandehuri është arsyeja ligjore për faktin se hetimi është dyvjeçar dhe brenda dy vjetëve duhet ta kryejmë një krim lufte, që është sfidë të kryhet një krim lufte, aq më tepër një masakër siç është ajo e Dubravës për dy vjet, por këto janë mundësitë ligjore”, deklaroi prokurori Morina.
Ai, tutje, shtoi se brenda kësaj mundësie ligjore është sfida ligjore që është paraburgimi, ku sipas tij, i bie që hetimi duhet të kryhet brenda një viti.