Ish-zëvendëskryeministri dhe ish-ministri i Drejtësisë i Kosovës, Hajredin Kuçi, bëri të hënën paraqitjen e tij të parë para Gjykatës Speciale në Hagë, ku po përballet me akuza për ndikim mbi dëshmitarët.
Kuçi është deklaruar i pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi të.
“Jam plotësisht i pafajshëm. Sot është në prej momenteve të errëta për mua si një njeri i drejtësisë, që e ka mision dhe profesion tërë jetën. Jam identifikuar me drejtësinë. Si profesor i drejtësisë për mbi 30 vite, si kryetar i komisionit kushtetues të Republikës së Kosovës, që Kushtetuta është ende në fuqi, si zëvendëskryeministër për rend dhe ligj për tri mandate dhe ministër i Drejtësisë për dy mandate, si anëtari i ekipit mbrojtës të kryetarit Veseli pranë kësaj gjykate.
Këtë aktakuzë e shoh si prekje të dinjitetit tim, njerëzor, profesionit por edhe të reputacionit tim”, ka thënë Kuçi.
Kuçi e quajti ish-presidentin, Hashim Thaçin një mik të ngushtë dhe bashkëpunëtor të tij për shumë vite, duke shtuar se puna e tyre e përbashkët ka qenë gjithmonë në përputhje me parimin e drejtësisë.
“Në aktakuzë jam me presidentin Hashim Thaçi. Më lejoni të them se Hashimin e kam mik, njihemi që vite të gjata dhe kemi punuar gjatë. Kemi punuar dhe udhëhequr mbi parimin e drejtësisë, respektimit të saj dhe kemi besuar në drejtësi”, ka shtuar ish-ministri i Drejtësisë.
Ai gjithashtu mohoi çdo përfshirje në vepra penale dhe shprehu bindjen se do të lirohet nga akuzat.
“Nuk kam bërë asnjë vepër penale, jam i pafajshëm dhe besoj se do të lirohem nga akuzat”, ka thënë Kuçi.
Kuçi theksoi besimin e tij të palëkundur në drejtësi dhe në Zot, duke e cilësuar drejtësinë si një mision jetësor.
“Besimin në Zot e drejtësi nuk e luhati as kur sfidohem personalisht”, ka potencuar Kuçi.
Gjatë ditës së sotme pritet që Kilaj të paraqitet para gjykatës për të dhënë deklaratën e tij.
Në të njëjtën aktakuzë përfshihen edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, dhe Fadil Fazliu.
Gjatë së dielës edhe Faziliu është dekalruar i pafajshëm.
Teksa Thaçi dhe Smakaj nuk u deklaruan për akuzat ndaj tyre, duke kërkuar më shumë kohë për shqyrtimin e materialeve të rastit.