18/05/2024

Kurti, ambasadorëve të QUNT-it: Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës nuk duhet të përzihen

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, takoi sot ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Në takim u diskutua mbi zhvillimet aktuale dhe rreth procesit të anëtarësimit në Këshill të Evropës.

Kurti theksoi se deri më tani tri instanca të rëndësishme të Këshillit të Evropës (Juristët Eminentë, Raportuesja Dora Bakoyannis dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës) kanë konfirmuar se Republika e Kosovës plotëson standardet dhe kriteret për të qenë anëtare e plotë e kësaj organizate.

Kushtet dhe parakushtet për anëtarësim, u vendosën në raportin e raportueses Dora Bakoyannis të cilat Republika e Kosovës i plotëson, duke përfshirë këtu edhe vendimin prej vitesh në pritje për Manastirin e Deçanit.

Për më tepër, si shenjë gatishmërie dhe hap para, tre krerët shtetëror i dërguan letër të garancisë raportueses Dora Bakoyannis për adresimin e çështjeve të pas anëtarësimit të identifikuara nga Këshilli i Evropës.

Kryeministri theksoi se Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, me një kushtetutë të avancuar e cila ofron të drejta të garantuara dhe zgjeruara për komunitet joshumicë, dhe tejkalon standardet ndërkombëtare, e vlerësuar kështu edhe nga Juristët Eminentë të Këshillit të Evropës. Me letrën e garancisë, Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim, prandaj edhe çdo kërkesë tjetër është në shpërputhje me vetë votimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të 16 prillit, të mbështetur në masën 82% (131 kundrejt 29).

Ai kujtoi se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në Bruksel dhe jo në Strasburg; se procesi i anëtarësimit në Këshill të Evropës është çështje e respektimi të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, vlera këto që Republika e Kosovës i përqafon. Këto dy procese nuk duhet të përzihen pasi nuk e ndihmojnë njëra-tjetrën. Në rast se këto përzihen, kjo do t’i bënte dëm të pariparueshëm në njërën anë dialogut në Bruksel dhe në anën tjetër Këshillit të Evropës si institucion i ruajtjes dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...