Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për gjendjen e sigurisë në Ballkan dhe raportet e brishta me Serbinë.
Kurti në një intervistë për CNN ka thënë se nuk do të lejohet themelimi i një Republike Serbe në Kosovë, sikurse në Bosnjë e Hercegovinë.
“Kosova nuk do të lejojë një lloj të Republikës Serbe në Kosovë. Nuk kam vullnet të përfshihem në një marrëveshje për të kompensuar humbjet e Serbisë në regjimin e Millosheviqit, por po për përmirësimin e jetës së serbëve të Kosovës. Shpresoj që Brukseli do ta vlerësojë këtë dhe ne do ta arrijmë një marrëveshje të njohur legalisht, të qendërzuar në njohje reciproke”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka shtuar se edhe pse Kosova nuk është pjesë e NATO-s, trupat e saj janë të pranishme në Kosovë.
“Serbia refuzon t’i pranojë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Serbia nuk është vend demokratik, është një regjim. Situata në Ballkanin Perëndimor është në rrezik. Ne jemi duke e forcuar sistemin tonë të mbrojtjes duke ndarë më shumë buxhet për Forcën e Sigurisë së Kosovës”, ka thënë Kurti, transmeton kp.
Ai ka thënë se intervenimi i NATO-s në vitin 1999 ishte i drejtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe “ne varemi në sigurinë e amerikanëve”.
“Beogradi dhe Kremlini duhet të mendojnë dy herë para se të veprojnë në Kosovë”, tha ai duke shtuar se Serbia nuk është demokratike dhe se presidenti serb Aleksandar Vuçiq si një autokrat vendos për çdo gjë në Serbi.
Kurti ka thënë se BE-ja do të mund të ndihmonte me shpejtimin e procesit të integrimit të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri i Kosovës ka thënë se ka lejuar vizitën në Kosovë të kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, për t’ia bërë të mundur asaj të shohë se Kosova është shtet normal, më demokratik se Serbia e më i pavarur.
“Pasi Serbia është e varur nga Rusia”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se Serbia ka 48 baza rreth Kosovës, 28 ushtarake e 20 të xhandarmërisë së Serbisë.
“Ministri i Mbrojtjes së Rusisë ka një seli brenda Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë”, ka thënë Kurti, duke shtuar se ka rreziqe për tensionim të situatës në Ballkan. “Serbia ka lidhje të ngushta me Kremlinin, në njërën anë kulturore e historike, e tjetrën ushtarake e ekonomike”.
Kurti ka thënë se nuk beson se do të ketë luftë, pasi Kosova ndonëse nuk është në NATO, NATO është brenda saj. Por, ka thënë se nuk duhet marrë të garantuar.
“Po e forcojmë sistemin tonë të mbrojtje, duke ndarë më tepër buxhet për FSK-në, po forcojmë Policinë tonë, e po ashtu bashkëpunimin me aleatët e NATO-s, veçanërisht me SHBA-në. Mendoj se jemi të sigurt, por nuk do të thotë se nuk duhet shqetësuar”, ka thënë Kurti.
Kurti ka folur edhe për tensionet e shkaktuara në veri të Kosovës në natën para se të hynte në fuqi reciprociteti i dokumenteve hyrje/dalje. Marrëveshja për letërnjoftime mes dy vendeve u arrit në Bruksel në gusht. Në diskutime është edhe çështja e targave.
“Sa i përket targave por edhe gjërave tjera, do të vazhdojmë me parimin e reciprocitetit. Do të ketë nga dy anët prezantimin e të njëjtës gjë apo në asnjërën. Preferoj që asnjërën. Pasi në këtë mënyrë do të lehtësojmë lëvizjen e qytetarëve”, tha Kurti.
Albin KurtiCNNRepublika Serbe