Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka folur për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës. Ai ka thënë se Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në Këshill të Evropës me Asociacionin.
“Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në Këshill të Evropës me Asociacionin. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë bisedojmë në Bruksel e jo në Strasburg”, tha Kurti.
Ai ka thënë se pavarësisht votimit pozitiv nga asambleja e KiE në prill të këtij viti që Komiteti i Ministrave ta ftoj Kosovën të bëhet anëtare e plotë, në këto javët e fundit janë përballur me një kusht të ri që sipas kryeministrit nuk ka të bëjë aspak me standardet e anëtarësimit në këtë organizatë.
“Pas kushtit që të zbatohet një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, ne dëgjuam se ka kryeqytete që po kushtëzojnë procesin e anëtarësimit me dërgimin e një dokumenti në Kushtetuese. Ky dokument i sjell tek ne nga emisari i BE-së Miroslav Lajçak së bashku me këshilltarët diplomatikë të shteteve të QUINT-it nuk u pranua më 26 tetor të vitit të kaluar. Kosova ka ofruar që ai dokument të bëhet pjesë e pakos së marrëveshjes bazike të Brukselit aneksit të Ohrit dhe të nënshkruhet për tu bërë ligjërisht i obligueshëm dhe i zbatueshëm por u refuzua nga Serbia”, ka deklaruar Kurti.
Kryeministri ka shtuar se refuzimi nuk është pranim, transmeton Telegrafi.
“Nëse më datë 26 tetor 2023 do të pranohej e nënshkruhej paketa e marrëveshjes në Bruksel vetëm atëherë ai draft do të mund të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese. Si i tillë është një jo dokument një non-paper. Qeveria nuk mund të dërgoj dokumente që nuk janë zyrtare në Gjykatën Kushtetuese. Kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë dhe mbetet absurde”, tha Kurti
Kryeministri ka shtuar se përkundër kësaj tri herë përgjatë procesit u tentua që të futej kjo kërkesë si parakusht për anëtarësim.
“Dy herë në Komitetin për çështje politike dhe demokraci më 27 mars në Paris dhe 16 prill në Strasburg e po ashtu edhe gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme po atë ditë. Kërkesa që po shtyhet si kushtëzim për anëtarësimin e Kosovës, jo vetëm që nuk është parimore e vlerore, por ajo tashmë është refuzuar tri herë nga vetë instancat e Këshillit të Evropës”, tha Kurti.
Ai shtoi se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës sepse beson dhe përqafon vlerat themelore që kjo organizatë mbron dhe promovon.
Kurti tha se pengesat për anëtarësim i mendonin nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën e assesi shtetet demokratike që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përkrahëse të Kosovës, duke folur këtu për Gjermaninë e Francën.
Gjermania dhe Franca janë dy vendet që kanë kërkuar nga Kurti të bëjë “hapa konkretë” për themelimin e Asociacionit përpara votimit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. /Telegrafi/