Me rastin e shënimit të 25-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në ceremoninë festive të organizuar nga Policia e Kosovës.
Në këtë përvjetor jubilar të themelimit të Policisë, për herë të parë u interpretua himni i Policisë së Kosovës.
Ceremonia më pas vijoi me një minutë heshtje në nderim dhe përkujtim të të gjithë policëve të rënë në detyrë përgjatë këtyre 25 vjet shërbim të Policisë së Kosovës.
Kurti tha se Policia e Kosovës nisi me funksionalizimin e shkollës policore në qytetin e Vushtrrisë dhe me trajnimin e menjëhershëm të gjeneratës së parë të pjesëtarëve të Shërbimit Policor të Kosovës.
Ai tha se në gjeneratën e parë të Policisë së Kosovës, diplomuan gjithsej 176 kadetë, 20% prej të cilëve vajza e gra dhe 17% nga radhët e komuniteteve.
“Jam i nderuar që ndodhem sot këtu, për të shënuar dhe festuar bashkë me të gjithë ju një çerek shekulli të ekzistencës dhe zhvillimit të policisë sonë, Policisë së Kosovës dhe jam i lumtur që mes nesh kemi zyrtarë të gjeneratës së parë të Policisë së Kosovës, të cilët ende i ruajnë të freskëta kujtimet dhe përvojën e asaj kohe. E admirojmë përkushtimin e tyre, që përkundër të gjitha sfidave të asaj kohe, vendosën të veshin uniformën e të shërbejnë për të gjithë e pa dallim”, deklaroi Kurti.
Ai tha se veprimet e Policisë sonë në sulmet e njëpasnjëshme në tri vitet e fundit nga grupet kriminale të dirigjuara nga Serbia e veçanërisht në sulmin terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, kanë dëshmuar se me profesionalizëm dhe guxim arrihen rezultate në misionin e sundimit të ligjit, mbrojtjes së jetës së qytetarëve tanë e të sovranitetit shtetëror e të integritetit territorial.
“Banjska po ashtu ka risjellë në mendjet e secilit prej nesh, që pavarësisht çfarëdo aspirate të shfrenuar të kujtdo qoftë mbi Republikën tonë të dashur, territori ynë do të mbrohet edhe me jetë. Integriteti institucional e zyrtar e personal, ruan e mirëmban integritetin territorial”, shtoi më tej ai.
Kryeministri shprehu mirënjohjen për të gjithë pjesëtarët që edhe sot, si çdo ditë, janë në detyrë anembanë vendit tonë, të cilët duke reflektuar mbi betimin e dhënë, na kanë dëshmuar që nuk kursejnë as jetën e tyre për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë së Republikës sonë.
“Si Kryeministër i Republikës së Kosovës jam krenar e mirënjohës për arritjet e policisë sonë. Shërbimi me integritet dhe reagimi me profesionalizëm, i bazuar në ligjet tona, janë drejtimet, mbi të cilat duhet të fuqizohet edhe më tej Policia e Kosovës”, tha ai.
Në përmbyllje të fjalës, kryeministri ua uroi të gjithëve 25-vjetorin e themelimit të Policisë sonë të dashur të Republikës së Kosovës, atyre që ishin të pranishëm e veçanërisht pjesëtarëve të Policisë që në këto momente janë në shërbim në gjithë territorin e Republikës tonë.