25/02/2024

Kurti për kufizimet ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Mundësitë i kemi të kufizuara, por jemi duke menduar se si mund të ndihmojmë

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar lidhur me zhvillimet e fundit në Hagë, ku Specialja ka njoftuar se ish krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, u janë pezulluar vizitat dhe të gjitha komunikimet, përveç me ekipin e avokatëve.

Kurti para mediave e ka cilësuar si zhvillim negativ, teksa tha se këtë e pësojnë familjet e të akuzuarve, transmeton Telegrafi.

“Sigurisht qe bëhet fjalë për zhvillim negativ, meqenëse e pësojnë familjet, më të dashurit e atyre që po mbahen mbi 3 vjet në Hagë. Unë këtë dje e kam marr vesh nga deputetja Shqipe Selimi që është bashkëshortja e gjeneralit të UÇK-së, Rexhep Selimi, dhe njëkohësisht e kemi diskutuar edhe me kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufcën, këtë zhvillim negativ. Ju e dini që ne i kemi mundësitë e kufizuara për të pasur çfarëdo ndikimi, mirëpo natyrisht jemi duke menduar se si mund të ndihmojmë”, u shpreh kryeministri Kurti.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka bërë të ditur se pas një hetimi brenda Speciales, ka zbuluar se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, kanë thyer rregullat duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve të fshehtë dhe duke ndarë prova konfidenciale.

Sipas Prokurorisë Speciale janë zbuluar prova të tentativave për të penguar drejtësinë, duke përfshirë udhëzime nga të akuzuarit për mënyrën se si dëshmitarët duhet të dëshmojnë dhe përpjekje për të ndikuar në qasjen ndaj dëshmitarëve.

Si rezultat i kësaj, Prokuroria ka kërkuar të ndalohet komunikimi mes të akuzuarve, e po ashtu pezullimin e të gjithë komunikimeve të jashtme, si dhe monitorimin e rreptë të komunikimeve të lejuara brenda Speciales. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...