Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vazhduar takimet me kryetarët e komunave veriore të vendit dhe drejtorët komunalë.
Përmes një njoftimi për media bëhet e ditur se Kurti takoi kryetarin e Komunës së Leposaviqit ku gjatë takimit u diskutua gjerësisht mbi qeverisjen komunale në 15 muajt e fundit, shërbimet e reja, përfshirë ato që ofrohen nga agjencitë qendrore, sikurse Agjencia e Punësimit dhe Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve, dhe praktikat e mira të vendosura me udhëheqjen aktuale.
Po ashtu sipas njoftimit thuhet se në këtë takim u diskutua edhe rreth sfidave të trashëguara dhe nevojën për investime kapitale për qasje në ujë të pijshëm, ndriçim publik dhe infrastrukturë, veçanërisht në fshatra dhe zona të thella të komunës.
Kryeministri Kurti i falënderoi drejtuesit dhe stafin e Komunës së Leposaviqit për punën dhe angazhimin e përditshëm dhe për bashkëpunimin e ngushtë me ministritë dhe Zyrën e Kryeministrit në realizimin e projekteve në interes të komunës. Bashkë me ministrat në takim, ai i ofroi kryetarit Hetemi dhe nënkryetares Bogojeviq, mbështetjen e tij dhe gatishmërinë për të punuar sa më afër në adresimin sa më të shpejtë të kërkesave të kësaj komune që burojnë nga nevojat e qytetarëve për vitin e ardhshëm buxhetor”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/