22/11/2024

Liberalizimi i vizave, cilët sektorë pritet të preken më së shumti nga emigrimi?

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Liberalizimi i vizave e gjen Kosovën në një dinamikë më ndryshe se shtetet tjera të rajonit në kohën kur atyre i’u ofrua lëvizja e lirë në BE.

Nga viti 2012 deri në vitin 2022, nga Kosova kanë emigruar mbi 338 mijë qytetarë. Vetëm në vitin 2022 kanë emigruar 41,553 qytetarë dhe në këtë vit fuqia punëtore aktive është zvogëluar për 21,571 persona, ndërsa fuqia punëtore jo-aktive është zvogëluar për 14,698 persona.
Kështu thuhet në një raport të Institutit GAP. Për të matur prirjen për migrim të qytetarëve, Instituti GAP ka kryer në dhjetor 2023 një hulumtim të opinionit publik në nivel vendi, 29 pra në 38 komuna të Kosovës, duke përdorur teknikën e “mostrës së shtresuar me përzgjedhje të rastësishme”.
Në kuadër të këtij hulumtimi janë anketuar 1,066 qytetarë të Kosovës të moshës mbi 18 vjeç, duke reflektuar në të edhe strukturën etnike në Kosovë dhe hulumtimi thuhet se ka nivel të besueshmërisë prej 95% me marzhë të gabimit +/-3.

Rezultatet e anketës së realizuar nga Instituti GAP në dhjetor të vitit 2023, në lidhje me planet dhe tendencën e qytetarëve të Kosovës për të emigruar pas liberalizimit të vizave, tregojnë se 28% e qytetarëve të Kosovës mbi 18 vjeç planifikojnë të emigrojnë në pjesën e parë të vitit 2024.

Destinacionet kryesore të qytetarëve të Kosovës të cilët planifikojnë të emigrojnë janë Gjermania me 71.4 për qind, ndjekur nga Zvicra me 11.7 për qind dhe Austria me 5.3 për qind.
Por, cilët sektorë priten të preken më së shumti?

Duke krahasuar të dhënat e numrit të të punësuarve dhe produktivitetin e sektorëve ku ata punojnë, del se tendenca për të emigruar do të ndikojë më së shumti në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë i cili numëron afro 79 mijë të punësuar, sektorin e ndërtimtarisë i cili numëron rreth 45 mijë të punësuar, dhe sektorin e hotelerisë dhe gastronomisë me mbi 31 mijë të punësuar.

“Të njëjtit janë ndër sektorët me numrin më të lartë të të punësuarve dhe ku produktiviteti i punonjësve është i lartë, mirëpo ku pagat vazhdojnë të mbesin të ulëta. Në vitin 2022, paga mesatare bruto në sektorët më të ndikuar ishte më e ulët se paga mesatare në vend. Konkretisht, në sektorin e gastronomisë paga mesatare bruto ishte 323 euro, në ndërtimtari 444 euro, në tregti 449 euro, prodhim 409 euro, etj.
Disa nga sektorët të cilët do të ndikohen më së paku nga emigrimi janë sektori i bujqësisë, pylltarisë dhe peshkimit i cili njëherit ka produktivitetin më të lartë nga të gjithë sektorët por nga i cili vetëm 2.6% deklarojnë se do të emigrojnë. Ndërsa, disa sektorë tjerë të rëndësishëm si arsimi, shëndetësia, IT, do të ndikohen në masë më të vogël, prej të cilëve rreth 7% kanë deklaruar se kanë plane për të emigruar”, thuhet në raport.
Sipas të dhënave të anketës, disa nga arsyet kryesore të cilat do të motivonin qytetarët për të mos emigruar dhe qëndruar në Kosovë janë pagat më të mira (32.4%), përmirësimi i kushteve të punës sikurse respektimi i kontratës së punës, orarit të punës, pushimit vjetor dhe të ngjashme (29.2%), përmirësimi i gjendjes në shëndetësi (13.8%), etj.
GAP thekson se adresimi i çështjes së emigrimit nga Kosova kërkon adresimin e një sërë faktorësh ekonomikë, politikë dhe social të cilët kontribuojnë në largimin e njerëzve nga vendi.

Duke pasur parasysh që vetë natyra e kontrollit të emigrimit cenon lirinë e lëvizjes së individëve, hartimit të politikave të emigrimit duhet t’i kushtohet rëndësi dhe kujdes.

Me anë të këtij raporti, Instituti GAP inkurajon Qeverinë e Kosovës të punojë në:

Zbatimin e politikave dhe iniciativave që stimulojnë rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës. Kjo mund të përfshijë mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, tërheqjen e investimeve të huaja dhe promovimin e sipërmarrjeve;

Zhvillimin e aftësive siç është investimi në programet e arsimit dhe formimit profesional për të rritur aftësitë e fuqisë punëtore dhe për t’i përshtatur ato me kërkesat e tregut të punës;

Përmirësimin e sistemeve të kujdesit shëndetësor dhe arsimor për të ngritur cilësinë e jetës për qytetarët

Programe të diasporës të cilat inkurajojnë lidhjen e qytetarëve në Kosovë me diasporën e Kosovës për të nxitur përfshirjen e tyre në zhvillimin e vendit. Kjo mund të drejtojë në krijimin e programeve që lejojnë diasporën të kontribuojë në projekte ekonomike dhe sociale;

Inkurajimin e zhvillimit të teknologjisë dhe inovacionit. Përqendrimi në këto fusha mund të tërheqë një fuqi punëtore më të re, me njohuri teknologjike dhe të krijojë mundësi të reja;

Planifikimin strategjik dhe zhvillimin e planeve afatgjata që adresojnë shkaqet rrënjësore të emigrimit dhe ofrojnë një udhërrëfyes për zhvillim të qëndrueshëm;

Grumbullimin e të dhënave sistematike për vëllimin, moshën, aftësitë dhe karakteristika tjera të emigrantëve, në mënyrë qe parashikimet të nevojave të tregut të punës në Kosovë të jenë sa më të sakta. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...