Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se Qeveria e Kosovës ka siguruar prova dhe fakte që vërtetojnë se ajo që ndodhi të dielën në Banjskë nuk ishte një plan i mirëorganizuar ushtarak për të pushtuar një pjesë të territorit në veri të Kosovës.
Maqedonci u shpreh se ai që në fillim u perceptua si një sulm terrorist, rezultoi në fakt një plan ushtarak që do të zbatohej gradualisht nga njësi paraushtarake të ndihmuara drejtpërdrejtë nga shteti dhe ushtria serbe.
“Në fillim është dukur si një sulm terrorist, por pas gjetjes së armatimit dhe dokumente rezulton se është një plan i mirëfilltë ushtarak që është dashur të zbatohet nga njësi paraushtarake të ndihmuara nga shteti serb. Planet që hanë gjetur kanë shenja teknike tërësisht ushtarake, armët kanë qenë për të qëndruar më gjatë, për t’u mbrojtur me qëllim final pushtimin e një pjese të veriut të Kosovës.
Janë armë që përdoren nga ushtri të ndryshme, të gjitha të prodhuara në republikën e Serbisë që nuk janë armë që i shiten individëve por janë të destinuara për ushtrinë që duan një aprovim shtetëror për shitjen e tyre. Ndaj ushtria serbe i ka sponsorizuar dhe i ka ndihmuar në gjithë operacionin”, tha ministri për Euronews.al.
Më 24 shtator, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 sosh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.
Në përleshjet që pasuan midis grupit të armatosur dhe forcave të rendit u vranë tre terroristë dhe u arrestuan gjashtë persona që dyshohet se ishin të lidhur me ta, disa nga të cilët më pa u liruan.
Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.