Rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa rrethi i dytë do të mbahet së bashku me zgjedhjet parlamentare më 8 maj – kjo është marrëveshja e arritur në takimin e liderëve që e thirri Kovaçevski me qëllim që të zyrtarizohet data e zgjedhjeve. Pika e ditë për të cilën u arrit marrëveshje është ndryshimi i Kodit zgjedhor sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-së por nuk u dakorduan edhe për temën e ndryshimeve kushtetuese të propozuara nga qeveria si dhe për çështjen e shfuqizimit të Qeverisë teknike, që u parashtrua si kërkesë nga opozita. Kryeministri Kovaçevski, informoi se kur ajo do të formohet, por nuk zbuloi se kush do të nominohet për kryeministër nga radhët e BDI-së 100 ditë para zgjedhjeve.
“Në përputhje me Ligjin për Qeveri teknike, përkatësisht të Përzhinos, Qeveri teknike do të ketë nga 28 janari dhe do të plotësohet obligimi ligjorë që e kam unë si kryeministër, edhe marrëveshja e koalicionit do të plotësohet. Kryeministri teknik, ne kemi marrëveshje koalicioni dhe do të respektojmë atë marrëveshje, por për momentin nuk mund të spekuloj për cilido emër.”- deklaroi Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, tha se qëndrimi i tyre për ndryshimet kushtetuese është se nuk ka kushte për miratimin e tyre, ndërsa kërkesa e tyre për të mos pasur kryeministër teknik është refuzuar. Mickoski, megjithatë, nuk u përgjigj nëse do të marrin pjesë në Qeverinë teknike, tha se kjo çështje do të shqyrtohet nga organet e partisë.
“Në mbledhje u hap çështja e qeverisë teknike dhe ajo që është e rëndësishme të theksohet është se me sa kam dëgjuar nga të pranishmit në takim, nuk ka konsensus sidomos nga ana e partnerëve të koalicionit qeveritar që qeveria teknike të fshihet nga këto zgjedhje. Ata kanë mundësi, nëse vërtet ekziston vullneti politik, që kjo të mos ndodhë, por padyshim nga ajo që e dëgjova unë, për momentin nuk ekziston vullnet politik.”- tha Hristijan Mickoski kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Ndryshe, liderët e partive opozitare shqiptare nga Lidhja Europiane për Ndryshim u larguan para kohe, pasi paraprakisht u grindën me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, për zgjedhjen e anëtarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Ata akuzuan se Xhaferi po përgatit falsifikim zgjedhor.
Zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të jenë zgjedhje të rregullta parlamentare, pas 17 viteve. Zgjedhjet e fundit të rregullta u mbajtën në vitin 2006 dhe që atëherë në çdo cikël zgjedhor kishte zgjedhje të parakohshme. /tv21/