Mbrojtja e Hashim Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq ka njoftuar se nuk do të mbështetet në dëshminë e tre dëshmitarëve të saj në rastin në të cilin klienti i saj akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Veç kësaj, mbrojtja tha se miratimi i autorizimit për dëshmitarin 1DW-007 është vonuar me arsyetimin e mbylljes së përkohshme të Qeverisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Megjithatë, mbrojtja ka parashtruar në parashtrimin e 10 tetorit 2025 se pret miratimin për këtë dëshmitarë dhe se ky do të jetë dëshmitari i fundit i thirrur nga mbrojtja.
Vlen të theksohet se sipas asaj që shihet në dokumentin e mbrojtjes, ai është shkruar nga New York.
Mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.
Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.
Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.
Më 14 shtator 2025, në Hagë u mbajt një protestë masive në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, ku morën pjesë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare e mërgimtarë të shumtë.