Kanë kaluar disa ditë që vendi u përfshi nga një mot me reshje të dendura të shiut, ku për pasojë u përmbytën disa pjesë të vendit, në të cilat ka pasur dëme të mëdha materiale si në ekonomi familjare, biznese po ashtu edhe në infrastrukturë e toka bujqësore.
Komunat e Kosovës si Mitrovica, Skenderaj, Istogu, Klina, etj ende sot janë duke u përballur me pasojat nga këto përmbytje.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, në një prononcim për Telegrafin ka treguar se gjendja në këtë komunë vazhdon të jetë e rënduar, pasi siç u shpreh ai dëmet materiale janë të konsiderueshme.
Sipas tij, dëmet në ekonomitë familjare janë të larta. Hamza po ashtu tha se numri i shtëpive të përmbytura është 230, ndërsa uji po ashtu ka depërtuar në më shumë se 110 biznese.
“Gjendja vazhdon të jetë e rënduar, dëmet janë të konsiderueshme. Në ekonomitë familjare 230 shtëpi janë të përmbytura nga uji. E përveç dëmeve në ekonomi familjare kemi dëme dhe në biznese, ku uji ka depërtuar në më shumë se 110 biznese”, tha ai.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës po ashtu tregoi se është dëmtuar edhe infrastruktura publike.
“Është dëmtuar edhe infrastruktura publike duke përfshirë nëntë ura, numër të konsiderueshëm të rrugëve, të trotuareve dhe normalisht edhe brigjet e lumenjve të cilat kanë qenë të rregulluara. Në total si vlerë para llogaritare e dëmeve është diku rreth 13 milionë. Gjithashtu kemi dëme dhe në objektet sportive. Omni Sport është dëmtuar në tërësi dhe është bërë jofunksional, stadiumet dhe shumë objekte të tjera janë të dëmtuara. Jemi duke i ndenjur afër familjeve, jemi duke pranuar dhe përkrahje e ndihma për çka jam falënderues për kontribut dhënësit”, theksoi Hamza.
Po ashtu edhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura për Telegrafin ka thënë se gjendja vazhdon të jetë e rëndë, për më tepër siç tha ai që edhe temperaturat kanë rënë.
“Familjet e prekura nga vërshimet janë në gjendje të rëndë. Jemi duke vazhduar me furnizimet, sipas nevojave që kemi në terren. Jemi duke bërë llogaritjen e dëmeve, por kryesisht jemi duke u marr me furnizimet e gjërave elementare”, tregoi Nura.
Po ashtu ai potencoi se janë rreth 400 familje të prekura nga përmbytjet dhe mbi 100 biznese të dëmtuara.
“Si dhe kemi dëme në bujqësi, po ashtu edhe infrastruktura është shumë e shkatërruar. Kryesisht bizneset dhe organizatat humanitare të ndryshme na janë ofruar për ndihmë. Po ashtu edhe FSK-ja me furnizime. Situata me furnizime nuk është keq. Por koha është shumë e papërshtatshme”, tha tutje kryetari i komunës së Skenderajt.