15/06/2024

Milionat e Serbisë për kompanitë energjetike në Kosovë

të fundit...

- Advertisement -spot_img

Kompania energjetike e Serbisë, EPS (Elektroprivreda Srbije) është themeluese e katër kompanive nga Kosova, por aktualisht asnjëra prej tyre nuk e kryen aktivitetin për të cilin është themeluar.

Në këto kompani janë të punësuar rreth 3.300 punëtorë dhe EPS-ja ka ndarë rreth 42 milionë euro për punën e tyre në vitin 2021.

Në një raport për problemet në sektorin energjetik në Serbi në korrik të vitit 2022, Këshilli Fiskal i Serbisë deklaroi se EPS-ja vetëm i “mbështet” ata punëtorë, pasi nuk ka kontroll mbi asetet dhe operacionet e kompanive nga Kosova, shkruan Rel.

“Elektrosever” ka licencë, por ende nuk operon në Kosovë

E vetmja kompani që ka licencë për të punuar në Kosovë është “Elektrosever”, e cila ende nuk është funksionale.

Kompania “Elektrosever” është kompania më e re e EPS-së në Kosovë. Ajo është themeluar në vitin 2016 me qëllim të furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Ndryshe, që nga viti 1999, banorët e komunave në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, nuk i kanë paguar faturat për energjinë e konsumuar. Sipas të dhënave të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT), humbjet vetëm për vitin 2021 arritën shumën prej 40 milionë eurosh.

Që nga viti 2017, sipas autoriteteve të Kosovës, borxhet për energji elektrike janë mbuluar nga KOSTT, gjegjësisht Qeveria e Kosovës. Deri atëherë, borxhin për veriun e paguanin paushall qytetarët e Kosovës nga komunat tjera në jug të Ibrit, kështu që faturat e tyre ishin më të larta për 3.5 për qind, por u konstatua se kjo praktikë ishte e kundërligjshme.

Themelimi i “Elektrosever” ishte paraparë me Marrëveshjen për Energjinë të vitit 2013 dhe 2015 ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, dhe kompania është themeluar në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës.

Kosova dhe Serbia më 21 qershor të vitit 2022 në Bruksel kanë miratuar udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes. Në bazë të asaj marrëveshjeje, më 24 qershor, Zyra e Rregullatorit për Energji të Kosovës (ZRRE) i ka lëshuar licencën për furnizim kompanisë “Elektrosever”.

Mirëpo, siç ka raportuar REL në korrik, “Elektrosever” ende nuk i ka ofruar Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) dhe KOSTT-it të dhënat që ka në dispozicion për konsumatorët në veri të Kosovës.

“Elektrosever” gjithashtu nuk i ka nënshkruar ende marrëveshjet e nevojshme teknike me KEDS-in dhe KOSTT-in, për të operuar në tregun për energji të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në një intervistë për REL në gusht se kjo tregon se Serbia nuk i respekton obligimet e saj.

“I kemi pasur dy javë për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë që ta bëjë licencimin e kompanisë në veri. E ka bërë për dy ditë. Ndërkaq edhe sot, pas shumë e shumë javëve, që është dashur të na dorëzohet regjistri i fundit i konsumatorëve në veri, Serbia nuk e ka bërë”, deklaroi Kurti.

- Advertisement -spot_img

Me te lexuarat...

- Advertisement -spot_img

Lajmet tjera...