Ministria e Financave ka njoftuar se nga sot qytetarët mund të aplikojnë për subvencionim të energjisë përmes platformës eKosova.
Ata kanë bërë të ditur se familjet që kanë aplikuar vitin e kaluar nuk kanë nevojë të riaplikojnë, pasi thonë se të dhënat e tyre janë bartur automatikisht për vitin 2025.
“Megjithatë, nëse keni ndryshuar ndonjë informacion, si numri i anëtarëve të familjes, vendbanimi apo njehsori elektrik, ato mund t’i përditësoni lehtësisht në të njëjtin formular, duke bërë ndryshimet dhe më pas duke klikuar “Apliko”, thuhet në sqarimet që i ka bërë kjo ministri sa i përket këtij aplikimi.
Ministria e Financave thotë se ky program synon të mbështesë familjet më të cenueshme gjatë stinës së dimrit për të lehtësuar përballjen me shpenzimet e energjisë elektrike.
MF-ja i ka bërë të ditura kriteret për qytetarët që duan të jenë përfitues të këtij programi.
“Kriteret kryesore të përfitimit jane se duhet te jeni shtetas të Republikës së Kosovës, të keni te ardhura deri në 150 € për anëtar, dhe pasuri të paluajtshme deri në 100,000 €”, thotë MF-ja.
Po ashtu kanë bërë të ditur se subvencioni realizohet sipas formulës së përllogaritjes e cila është e bazuar në të ardhurat mesatare të familjes dhe lartësisë faturës së energjisë elektrike për muajin përkatës.
“Aplikimi mbetet i hapur për 6 muaj, por ftojmë të gjithë aplikuesit e rinj dhe ata të vitit të kaluar që kanë ndryshime në të dhënat e tyre që të aplikojnë në muajin tetor pasi pagesat në mënyrë retroaktive nuk do të realizohen”, thuhet në njoftimin që ka shpërndarë Ministria e Financave lidhur me hapjen e aplikimit për Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike 2025 – 2026.