Ministria e Mbrojtjes ka reaguar pas lajmeve të publikuara se Roja e Nderit e FSK-së nderon një pllakë dedikuar ushtarëve serbë të vrarë gjatë luftërave të viteve 1912-18.
Në një reagim në faqen zyrtare në Facebook, Ministria e Mbrojtjes ka thënë se lajmi i tillë nuk është e vërtetë.
“Me datën 11.11.2022, Togu i Gardës Ceremoniale dhe Orkestra Frymore e FSK-së, me ftesë të Ambasadës franceze dhe Ambasadës gjermane, ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar për të nderuar rënien e ushtarëve francez dhe gjerman, gjatë Luftës së Parë Botërore, në periudhën 1914-1918.
Pllakat përkujtimore të të rënëve të këtyre dy kombeve, janë të vendosur në një hapësirë të përbashkët me pllakën e të rënëve serb të vitit 1912-1918, por që si ngjarje në periudhë kohore e as me aktivitetin në fjalë nuk kanë asnjë lidhje”, thuhet në reagimin e MM-së.
Më tej ministria ka theksuar se “Togu i Gardës Ceremoniale ka marrë pjesë si formacion mbështetës i Ambasadës franceze, nën organizimin e tyre, me qëllim nderimin e ushtarëve të rënë francez dhe gjerman”.
“Pozicionimi fizik i gardistëve tanë është imponuar nga pozita e pllakave memoriale dhe platosë përkatëse, dhe në asnjë formë nuk nderohen të rënët serb. Ministria e Mbrojtjes dhe FSK nderojnë gjithmonë vetëm popujt mbrojtës të vlera të lirisë, paqes dhe demokracisë dhe assesi ata që kanë qenë faktor destabilizues në secilën etapë dhe autorë të krimeve e terrorit”, thuhet mes tjerash në reagim.
Kujtojmë se reagimin që Roja e Nderit të FSK-së kanë nderuar pllakën dedikuar ushtarëve serb, e bëri anëtari i kryesisë së PDK-së, Ardi Nurellari.