Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka njoftuar se të gjitha kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) janë funksionale dhe vazhdojnë të ofrojnë ushqim të llojllojshëm për pjesëtarët e saj, pavarësisht propagandës, siç thuhet në njoftim, të përhapur në disa media dhe rrjete sociale.
Në deklaratën e saj, Ministria ka theksuar se nuk ka mungesë ushqimi apo rënie të cilësisë, pasi produktet e përdorura janë të ngjashme me ato që gjenden në çdo shtëpi në Kosovë. Megjithatë, ajo ka pranuar se sfida kryesore me të cilën po përballet aktualisht është mungesa e stafit teknik mbështetës, përfshirë kuzhinierët.
“Të gjitha kazermat e FSK-së janë funksionale dhe po shërbehet llojllojshmëri shujtash pavarësisht nga jo që po tentohet të propagandohet në disa medie dhe rrjete sociale. E vërteta është se nuk ka mungesë të ushqimit dhe as të cilësisë, pasi të njëjtat produkte bazë përdoren në çdo shtëpi në Kosovë, e vetmja gjë me të cilën po përballemi është mungesa në numër e stafit teknik mbështetës, pasi kuzhinierët veçse i kemi angazhuar në këtë periudhë si rezultat i marrëveshjes me Qendrën Studentore si dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës. Ky problem do të zgjidhet sapo të mbyllet konkursi për pranimin e stafit profesional vetanak, konkurs ky që është hapur dhe çdo procedurë do të përfundoj në afat prej 45 ditësh”, thuhet në njoftim.
Letra e Komandantit të FSK-së drejtuar Ministrit të Mbrojtjes, ku raportohet për vështirësitë e hasura, është pjesë e komunikimit rutinë midis institucioneve. Ndërsa procesi i ndërtimit të kapaciteteve të qëndrueshme për ushqimin e pjesëtarëve të FSK-së ka sfidat e tij, Ministria siguroi se për gjatë kësaj periudhe kalimtare do të merren të gjitha masat e nevojshme për të garantuar vazhdimësinë e ofrimit të ushqimit.
Përgjatë kësaj periudhe kalimtare do të ndërmirren masat për të siguruar vazhdimësinë e ofrimit të këtij shërbimi.
Ushtarakët nuk do të mbesin pa ushqim, këtë ua garantojmë pjesëtarëve të FSK-së”, thuhet më tej në njoftim.
Ministria e Mbrojtjes së Kosovës ka njoftuar se të gjitha kazermat e FSK-së janë funksionale dhe ofrojnë ushqim cilësor, duke hedhur poshtë raportimet në media dhe rrjete sociale për mungesa ushqimore.